Vendimet e qeverisë në detyrë & vakumi juridik dhe pasojat (I)

Kushtetuta e Republikës së Kosovës në gati trembëdhjetë vitet e ekzistencës së saj, më së shumti është sfiduar dhe shkelur nga klasa politike.

Politikanët, dhe përgjithsisht bartësit e funksioneve më të larta të institucioneve qeverisëse, në mungesë të edukimit të mirëfilltë kushtetues betejat e tyre politike në shumë raste i zhvendosin nga niveli politik në atë ligjor e kushtetues, duke pandehur paqartësi të normave kushtetuese, shumëkuptimësi të tyre, apo edhe vakum kushtetues, që për rrjedhojë kanë shkaktimin e krizave kushtetuese e institucionale, “shpëtimin” nga të cilat e kërkojnë në adresën e gardianit të Kushtetutës, Gjykatës Kushtetuese, me qëllimin që përmes saj, si mjet, të ndërtojnë edhe kauza politike për efekte elektorale.

Ndërsa, kjo e fundit, duke qenë institucion i specializuar e i pavarur i mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, në shumë raste, për shkak të pasojave juridike të vendimeve të saj, u ballafaqua me sulme nga më të ndryshmet, pikërisht nga grupet politike që për kohën dhe rrethanat, ato vendime nuk u “pëlqyen”, përkundër që vite më pas, të nj[jtat kur u konvenonin ua bënin edhe avokatin.

Sidoqoftë, nuk është detyrë e asnjë gjykate kushtetuese të edukojë politikanët të cilët kanë deficite në njohjen e rendit kushtetues dhe ligjor të vendit. Njohje kjo, e cila megjithatë, për politikanët nuk është aq e domosdoshme, sa është e rëndësishme që vendimet e tyre të jenë në pajtim më këtë rend. Ndërkaq, detyrë e saj është të shuajë dilemat e diskutimet në çdo paqartësi e mëdyshje të normave të nivelit kushtetues.

Sa ia ka arritur Gjykata Kushtetuese të hedhë dritë mbi këto paqartësi e dilema është çështje e diskutueshme, e cila gjithsesi varet dhe dallon nga rasti në rast. Ndërkaq, këto diskutime gjithsesi vendin e kanë në katedra e salla të leksioneve të së drejtës kushtetuese e në institute kërkimore-shkencore, të cilave fatkeqësisht, hapësirën e tyre në mungesë të guximit intelektual e dijes profesionale, vendin ua kanë zënë studiot televizive.

Sido që të jetë, le ta nënvizojmë se Gjykata Kushtetese megjithatë deri më sot në afër dymbëdhjetë vite të ekzistencës së saj ka qëndruar në krye të detyrës, e veçmas ka zgjidhur edhe konteste kushtetuese që preknin drejtëpërsëdrejti jetën dhe vendimmarrjen politike në vend. Fjala bie, për të gjitha institucionet qendrore kushtetuese ka nxjerrë vendime që kanë qartësuar dhe mbushur zbrazëtitë kushtetuese e ligjore në aspekte të ndryshme të punës së tyre duke filluar nga zgjedhja e konstituimi e deri të ushtrimi i mandatit të tyre kushtetues.

Por kjo jurisprudencë, me gjithë shumësinë e çështjeve të shqyrtuara e interpretuara brenda saj, ende nuk është plotësuar me një segment shumë të rëndësishëm të interpretimit kushtetues. Pra, me çështjen e përkufizimit të kompetencave dhe përgjegjësive të qeverisë në detyrë, respektivisht qeverisë në dorëheqje.

Qartazi Kushtetuta, ligjet e aktet nënligjore janë të heshtura sa i përket rregullimit juridik të aspekteve të punës së qeverisë pas rënies së saj, respektivisht qeverisë në dorëheqje apo në detyrë.

Kjo temë shtrohet veçanërisht në demokracinë e brishtë kosovare, ku në mungesë të stabilitetet politik, asnjë qeveri, nga shpallja e pavarësisë, nuk ka arritur të përmbushë mandatin e plotë katërvjeçar (derivativ), e për rrjedhojë, më të shpeshta kanë qenë edhe rastet e qeverive në detyrë, shumica e të cilave, në aspektin kohor, kanë shërbyer si “qeveri në detyrë” deri në 1/3 e kohës së qëndrimit të tërësishëm kohor të tyre.

Meqë tranzicioni kushtetues e institucional në vendin tonë merr kohë relativisht të gjatë, e bën edhe të domosdoshme nevojën për rregullimin me ligj të kompetencave dhe përgjegjësive të qeverisë në detyrë.

Shto këtu faktin që, secila qeveri në detyrë, pa ndonjë dallim që vlen të theksohet, periudhën vijuese nga pushimi i mandatit efektiv kushtetues, e ka vazhduar me realizimin e programit të saj politik, e për më keq, duke shfrytëzuar këtë vakum juridik, kanë tejkaluar kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre deri në nivel abuzimesh.

Rasti më ilustrativ është Qeveria aktuale në detyrë e kryeministrit Hoti, e cila nuk ka të ndaluar në shfrytëzimin e këtij vakumi juridik, duke nxjerrë vendime të shumta e të ndryshme, që tejkalojnë nevojën për menaxhimin e emergjencës kombëtare që lidhet me pandeminë apo me administrimin e punëve të domosdoshme qeveritare. Shto këtu edhe faktin se të njëjtës iu mor mandati me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese (Rasti Ko95/20, datë 06 janar 2021), si rezultat e zgjedhjes në procedurë jokushtetuese, anipse në mënyrë jologjike ky aktgjykim vendosi që e njëjta Qeveri të mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Le të përmendim këtu disa vendime konkrete, të cilat jo vetëm se nuk janë në rolin kujdestarues që duhet ta këtë një qeveri në detyrë, por janë joemergjente, jo të domosdoshme dhe tejkalim i qartë i mandatit të kufizuar të saj.

Me një kërkim të thjesht në faqen zyrtare të Qeverisë, në linkun “dokumente”, do të gjejmë vendimet e Qeverisë në detyrë, të cilat përfshijnë por nuk kufizohen në: Vendimet e shumta për miratimin e koncept-dokumenteve si propozime dhe formulime konkrete të politikave të reja qeveritare apo vendimet për aprovimin e strategjive qeveritare, për të cilat vetëm një qeveri me mandat të plotë kushtetues (legalitet dhe legjitimitet qeverisës) mund t’i propozojë. Po ashtu, vendimet për dhënien në shfrytëzim të pronave publike entiteteve të tjera, apo vendimet për shpronësimet e pronave të paluajtshme, vendimet për aprovimin e nismave për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare qoftë për hyrje në obligime financiare apo të tjera apo edhe vendime lidhur me rekrutimet në pozitat e nivelit të lartë drejtues apo vendime të shumta të karakterit financiar.

Me një fjalë, përveç mospropozimit të ndonjë projektligji, kjo Qeveri, sikurse edhe qeveritë e tjera në detyrë, në ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive institucionale nuk e bëjnë asnjë dallim nga qeveria me mandat të plotë kushtetues.

Dhe pyetja e natyrshme që shtrohet është: nëse kompetencat dhe përgjegjësitë e qeverisë në detyrë nuk dallojnë nga qeveria që ka mandat kushtetetues efektiv, atëherë cili është kuptimi i pasojave juridike që prodhon akti i dorëheqjes së kryeministrit apo çdo rast tjetër në të cilin posti i kryeministrit mbetet i lirë, e që, në këto situata Kushtetuta shprehimisht përcakton se qeveria bie, apo pasojat juridike që prodhon akti i votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj një qeverie, të cilën Kushtetuta shprehimisht e konsideron “qeveri në dorëheqje”, apo pasojat juridike të aktit të shpërndarjes së Kuvendit, në të cilën situatë, Kushtetuta, qeverinë e deriatëditshme, për periudhën vijuese e konsideron qeveri në detyrë.

Ndërkohë që së fundi, Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e saj në rastin KO72/20, kur bëri vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit, me të cilin  z. Avdullah Hoti, iu propozua Kuvendit, si kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë, i “barazoi” të gjitha këto efekte juridike të akteve të mësipërme, duke konsideruar që në cilëndo situatë të mbarimit të mandatit efektiv kushtetues të qeverisë, e njëjta për periudhën e mbetur deri në zgjedhjen e qeverisë së re, shërben si qeveri në detyrë, por megjithatë nuk bëri ndonjë vlerësim rreth kufizimeve që duhet t’i këtë kjo qeveri.

E kur flasim për kufizimet e qeverisë në detyrë nuk mund të mos e përmendim edhe rastin KO124/19, respektivisht aktvendimin për papranueshmëri të Gjykatës Kushtetuese të datës 16 shtator 2019 ndaj kërkesës për interpretim të aktit të dorëheqjes së ish-kryeministrit Haradinaj, i cili gjithashtu i parashtroi Gjykatës pyetjen se si definohet, cilat janë kompetencat dhe si funksionon qeveria pas dorëheqjes së kryeministrit.

Përgjigjen e Gjykatës në këto pyetje do ta shtjellojmë në pjesën e dytë të këtij shkrimi së bashku edhe me pasojat juridike që prodhojnë vendimet e qeverisë në detyrë.

(Autori është njohës i të drejtës kushtetuese dhe parlamentare, me përvojë solide në këshilldhënie juridike)