Vendimet e Qeverisë, kufizohet lëvizja edhe në disa komuna

Në mbledhjen elektronike të Qeverisë të mbajtur sot, janë ashpërsuar masat, për luftimin e përhapjes së COVID-19.

Sipas njoftimit të Qeverisë, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka pranuar rekomandimet e IKSHPK-së, për ndërmarrjen e masave të reja.

Sipas vendimit, duke filluar nga ora 22:30 deri në orën 05:00 të mëngjesit, ndalohet qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive të tyre në komunat: Prishtinë, Prizren, Pejë, Podujevë, Gjakovë, Ferizaj, Lipjan, Drenas, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë.

“Përjashtim bëhet vetëm në raste urgjente shëndetësore; Në rast të nevojës për t’u kujdesur për të sëmurë, për persona me nevoja të veçanta, vetëm nëse të sëmurët apo personat me nevoja të veçanta nuk kanë mundësi të kujdesen për vetveten; Në rast të kërkimit të ndihmës nga institucionet përkatëse, siç është rasti me viktimat e dhunës familjare;Në rast të vdekjes së anëtarit të familjes;  Në rast të paraqitjes së nevojave për dalje jashtë shtëpisë/banesës për nevojat fiziologjike të kafshëve, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia”, bëhet e ditur në vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria ashpërson masat ndaj përhapjes së COVID-19