
Vendimet e para të Trumpit si President: zhbën dhjetëra politika të Bidenit
Presidenti amerikan, Donald Trump ka ndërmarrë të hënën – sipas kohës lokale amerikane – hapat e parë për të treguar ndikimin me një mori Urdhrash Ekzekutivë, që pritet t’i hapin rrugë atij që e ka quajtur transformim të qeverisjes federale – raporton, më 21.01.2025, televizioni CNN – duke njoftuar se lideri republikan tashmë ka zhbërë 78 politika, shumica prej të cilave ishin nënshkruar prej ish-presidentit demokrat, Joe Biden.
Në mesin e politikave të revokuara përfshihen: një Urdhër që u kërkonte Agjencive federale që të vazhdojnë ndalimet për diskriminim gjinor, për të kërkuar orientimin seksual dhe identitetin gjinor; një Urdhër që u kërkonte të emëruarve nga sektori ekzekutiv të nënshkruanin një zotim etik; një Urdhër që ua lejonte transgjinorëve të shërbenin në Ushtrinë amerikane; një Urdhër që ndalonte ripërtëritjen e Kontratave të burgjeve private – shkruan CNN.
Urdhra të tjerë të epokës Biden të revokuar nga Trumpi përfshijnë veprimet që shfuqizojnë përcaktimin e Kubës si sponsor shtetëror i terrorit, tërheqjen e sanksioneve ndaj kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor dhe ndaj atyre u përpoqën të reduktonin rreziqet e Inteligjencës Artificiale.
Bideni vetëm së fundmi e hoqi Kubën nga Lista e Terrorizmit. Lista e Urdhrave të revokuar që Trumpi i nënshkroi të hënën nuk ka specifikuar arsyet individuale, për anulimin e Vendimeve të Bidenit.
Bideni u vuri sanksione disa kolonëve hebrenj, të akuzuar për nxitje të dhunës në Bregun Perëndimor në shkurtin e vitit 2024.
Dhe Urdhri i tij i AI-së, më 2023, synonte të monitoronte dhe rregullonte rreziqet e Inteligjencës Artificiale.
Trump u rrek gjithashtu të përmbyste përpjekjet e epokës Biden për zgjerimin e përcaktimeve të identitetit gjinor – duke përfshirë edhe pasaportat. Një Urdhër tjetër i nënshkruar nga Trump, të hënën, kërkon që Agjencitë federale t’i trajtojnë burrat dhe gratë biologjike si gjini të ndara, të ndalojnë promovimin e “ideologjisë gjinore” dhe t’u kërkohet disa Agjencive që të rikthejnë vetëm format e njohjes me “mashkull” dhe “femër”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com