Vendimet e dyshimta për gurthyesit në Kishnicë

Objekti i ndërmarrjes “Trepça” në Kishnicë mezi shihej nga pluhuri i shkaktuar nga kamionët. Ata nuk po bartnin koncentrat të zinkut e plumbit por gurë vullkanikë nga gurthyesi që ka nisur punën vite më parë.

Guri vullkanik, i cili nxirret nga kjo hapësirë, përdoret në shtrim të shtresës së fundit të asfaltit. Kodra, një pjesë e së cilës është rrafshuar, është pronë e ndërmarrjes “Trepça”, që i është dhënë në shfrytëzim një kompanie private.

KALLXO.com ka gjetur se gjatë procedurës për dhënien në shfrytëzim të kësaj sipërfaqe janë marrë vendime të dyshimta. Përveç kësaj, çmimi për metër kub guri të shfrytëzuar është ndryshuar në mënyrë të dyshimtë dhe të paargumentuar.

Gurthyesi i ndërmarrjes “Trepça” në Kishnicë nga viti 2009 deri në vitin ne vitin 2015 kishte qenë në shfrytëzim të kompanisë “Bejta Kommerc” nga Gjilani. Kjo kompani kishte paguar 1 euro e 20 centë për një metër kub të gurit të shfrytëzuar.

Në vitin 2016 ndërmarrja “Trepça” kishte nënshkruar kontratë 1-vjeçare me kompaninë “Nëntë Vëllezërit” me çmimin prej 50 centë për metër kub, apo 70 centë më lirë sesa kontrata paraprake.

KALLXO.com ka gjetur se “Trepça” pa hapur ankand kishte vazhduar të kontraktojë kompaninë “Nëntë Vëllezërit” edhe për katër vite të tjera. Çdoherë kontratat janë nënshkruar me kohëzgjatje prej 1 viti, ndërsa çmimi nuk ishte ndryshuar.

Ndërsa që nga data 1 janar 2021, kjo kompani më nuk ka kontratë. “Trepça” kishte vendosur që dhënien e kësaj hapësire në shfrytëzim ta bëjë përmes ankandit, njëjtë qysh është vepruar edhe për 34 prona të tjera.

Në muajin prill, “Trepça” kishte arritur të lidhte kontrata për dhënien në shfrytëzim të 34 pronave. Vetëm gurthyesi në Kishnicë kishte ngecur.

Në ankand “Trepça” kishte pranuar dy oferta në lotin me numër 28. Kompania “Nëntë Vëllezërit” kishte ofertuar 0.70 euro për metër kub, ndërsa kompania “Lirigzoni” kishte ofruar 1.47 euro për metër kub. Fituese ishte shpallur kompania “Lirigzoni”, që kishte ofertuar një çmim prej 0.77 euro – më të lartë se kompania “Nëntë Vëllezërit”, e cila e kishte këtë hapësirë në shfrytëzim për 5 vjet.

Kundër vendimit që shpallte fitues kompaninë “Lirigzoni” ishte ankuar kompania “Nëntë Vëllezërit”, e cila kishte kërkuar që gjithçka të kthehet nga fillimi.

Kjo kompani kërkonte që të rishpallej ankandi në mënyrë që ajo të ofertonte me çmim më të lartë.

“Kompania “Nëntë Vëllezërit” me datën 29.03.2021 ka paraqitur ankesë të cilët kanë kërkuar anulimin e procedurës për dhënien me qira të hapësirës dhe rikthimin në procedurat fillestare me pretendimin se është duke operuar në gurthyesin me lokacion në Kishnicë dhe posedon tri licenca valide. I njëjti kundërshton kompaninë Lirigzoni Sh.p.k sepse e njëjta ka ofertuar në zonën në të cilën kompania “Nëntë Vëllezërit” ka licencë për shfrytëzim deri në vitin 2030. Kompania “Nëntë Vëllezërit” kërkon nga Trepça Sh.a të bëjë anulimin e shpalljes publike dhe t’i krijohet mundësia për riofertim të kësaj procedure ku kompania do të ofronte një çmim shumë më të volitshëm”, thuhet në ankesën e tyre.

Ankesën e kompanisë “Nëntë vëllezërit” e kishte refuzuar si të pabazuar Komisioni i Ankesave, duke e vërtetuar vendimin për dhënien e kontratës për kompaninë “Lirigzoni”.

“Komisioni i ankesave pas shqyrtimit të ankesave në tërësi, dosjes së shpalljes publike për dhënie me qira të hapësirave T-21-001, ofertat e paraqitura nga operatorët ekonomik, raportin e komisionit të hapjes dhe raportin e komisionit vlerësues, konstaton si në vijim: Trepça Sh.A ka bërë shpalljen publike për dhënie të hapësirave me qira me të cilën kriter për fitimin e kontratës ka qenë çmimi më i volitshëm. Pas hapjes dhe ofrimit të ofertave komisioni vlerësues ka konstatuar se lidhur me llotin 28 kemi pranuar dy oferta, njëra nga kompania nëntë vëllezërit dhe tjera nga kompania Lirigzoni. Të njëjtit pas vlerësimit të ofertave kanë vlerësuar se operatori ekonomik nëntë vëllezërit nuk i plotëson kushtet pasi që kanë ofertuar me çmimin nën kushtet e parapara në dosjen e tenderit përkatësisht çmimin për shkëmb eru/Ande pa TVSH 0.70E/metër kub. Ndërsa operatori ekonomik Lirigzoni Sh.P.K i plotëson kriteret e parapara në dosjen e tenderit me çmimin për shkëmb eru/Ande pa TVSH 1.20E/metër kub, ashtu siç ka qenë e kërkuar në shpalljen publike”, thuhet ne vendimin e Komisionit të Ankesave.

KALLXO.com ka gjetur se përkundër faktit që vendimi për nënshkrim të kontratës për gurthyesin ishte e gatshme pas përfundimit të ankesave, bordi i “Trepçës” në ditën e fundit të mandatit të tij kishte vendosur ta pezullojë këtë proces.

Ish-kryesuesi i bordit, Sylejman Hyseni, tregon se bordi që ai e ka udhëhequr me kërkesën e u.d. kryeshefit e kanë pezulluar nënshkrimin e kësaj kontrate.

“Ne si bord nuk kemi pasë as kopje fizike të atij tenderi dhe për atë arsye nuk kemi mundur ta anulojmë apo të veprojmë ndryshe, vetëm kemi pezulluar nënshkrimin e kontratës”, theksoi Hyseni.

Kërkesa për mosnënshkrim të kontratës ka ardhur nga ushtruesi i detyrës së kryeshefit, Rafet Ibishi. Ai thotë se kishte kërkuar që të anulohet i gjithë procesi.

“Është e vërtetë se nga ana ligjore e ka fituar tenderin kompania ‘Lirigzoni’, por gabimi ose faji është tek ne që e kemi shti në tender këtë aset dhe kam kërkuar nga bordi i ndërmarrjes që me më këshillu çka me bo me këtë aset, por ata vetëm e kanë pezullu, nuk kanë vendosë kurrgjë”, thotë Ibishi.

Ai thotë se për këtë sipërfaqe duhet të negociohet çmimi me kompaninë “Nëntë Vëllezërit” dhe të anulohet në tërësi kërkesa për shpallje publike.

Vetëm disa ditë para se të pezullohej ky proces nga pozita e kryeshefit ishte dorëhequr Enes Muzaqi. Ai thotë se mospajtimet rreth kësaj kontrate nuk ishin arsyeja e dorëheqjes.

“Arsyeja e dorëheqjes sime është për shkaqe shëndetësore ashtu qysh edhe e kam shkruar edhe në letrën e dorëheqjes”, tha Muzaqi.

Haki Haxhiu, pronari i kompanisë ‘Lirigzoni’ që ishte shpallur fituese e ankandit, thotë se nuk e dinë pse nuk po e nënshkruan kontratën.

“Ne kemi konkurruar për një gurthyesin në Kishnicë  dhe kemi qenë me të mirët në tender, kemi ofruar çmimin me të lartë, normal brenda javës është dashur me nënshkru kontratën por është ndërruar një kryeshef, ka ardhë një tjetër i ri dhe na kanë njoftuar me një letër që është pezullu nënshkrimi i kontratës pa na dhënë kurrfarë arsyetimi”, tha Haxhiu.

Pronari i kompanisë “Nëntë Vëllezërit”, Shukri Tullari, ka thënë se kompania e tij ka licencë për shfrytëzim të sipërfaqes, prandaj “Trepça” duhet të negociojë me këtë kompani për dhënien e hapësirës me qira.

Madje, sipas Tullarit, kompania që drejton ai ka licenca: njëra për pronën e “Trepçës” dhe tjetrën për një pronë private, të dyja afër njëra-tjetrës.

“Unë kam dy licenca në Kishnicë, një në pronën time private dhe një në pronën e “Trepçës”, jam duke punuar në pronën time, sepse në të “Trepçës” nuk ke edhe çka punon më sepse nuk ka më gurë”, tha Tullari.

KALLXO.com ka kontaktuar me KPMM-në, e cila ka treguar hapat që duhet të ndiqen për shfrytëzim të kësaj hapësirë për nxjerrjen e gurit vullkanikë.

“Duke marrë parasysh se prona është evidentuar si pronë shoqërore e Trepçës, ndërmarrja e sjellë për çdo vjet marrëveshjen (kontratën ) e re ende pa i kaluar afati njëvjeçar i marrëveshjes, sepse ndërmarrja nuk mund te zhvillon aktivitet minerar pa e sjell ne KPMM marrëveshjen. Ndërmarrja  “Nëntë Vëllezërit” shpk  ka këto  licenca aktive  të shfrytëzimit të shkëmbit të fortë të lëshuar nga KPMM  në Komunën e Lipjanit: Licenca me numër 1528/KPMM/2016 e cila ka afat deri me datën 04.12.2030 e cila është transferua nga ndërmarrja ‘Bejta Kommerc’ në vendin e quajtur Kishnicë, Komuna e Lipjanit, që janë të evidentuara pronë e ‘Trepçës’ dhe sjell në KPMM çdo vit aneks të kontratës për qira të nënshkruar nga përfaqësuesi i ‘Trepçës’ dhe përfaqësuesi i ndërmarrjes “Nëntë Vëllezërit””, thuhet në përgjigjen e KPMM-së.

Kjo Agjenci e pavarur ka sqaruar se licenca nuk mjafton që një kompani me pasë të drejtë ta shfrytëzojë këtë hapësirë për gurthyes.

“Ne përputhje me Ligjin për Miniera dhe Minerale kusht për licencim është qe ndërmarrja te sjell ne KPMM një Marrëveshje mbi te drejtat sipërfaqësore nëse prona nuk është e pronarit te ndërmarrjes. Gjithashtu ju sqarojmë se LMM e ka parapare mundësin e transferit te licencës ose lejes ne përputhje me nenin 10 dhe Bartje te kontrollit sipas nenit 11 te këtij ligji. Ndërmarrja “Nëntë Vëllezërit” sh.p.k  ka licence te lëshuar nga KPMM për shfrytëzim te shkëmbit te forte duke u bazuar ne dokumentacionin qe e ka sjell ne KPMM  duke e përfshirë edhe marrëveshjen me pronarin e sipërfaqes qe na rastin konkret është prone e ‘Trepçës’ duke u bazuar në Fletën poseduese”, thuhet në përgjigjen e KPMM-së.

“Trepça” është duke u udhëhequr nga bordi i përkohshëm si dhe nga një ushtrues detyre i kryeshefit. Ndërkohë që gurthyesi vazhdon të mbetet pezull.