Foto: KALLXO.com
Vendi ku ndodhi vrasja e plagosja në 'Aktash' u sigurua e u mbikëqyr gjithë natën nga policia
Ende nuk është liruar për qarkullim një perimetër i rrugës “Gazmend Zajmi” në lagjen Aktash, aty ku mbrëmjen e 01.09.2024 një person u vra e pesë të tjerë u plagosën pas të shtënave me armë zjarri.
Breshëri plumbash, armë të gjata automatike e të shkurta u përdorën në këtë rast ndërsa deri më tani informacionet zyrtare janë se të përfshirë në këtë rast janë dy familje.
Familje që dyshohet se janë përfshirë edhe në të kaluarën kishin probleme mes vete.
Evidenca për dëshmi e prova materiale ende vazhdojnë të mbesin në vendin e ngjarjes, të cilat janë identifikuar nga ekipet e forenzikës e hetuesve policorë.
Deri në orët e hershme të mëngjesit të 02.09.2024, hetues policorë u panë në vendin e ngjarjes deri sa mblidhnin provat e mbetura nga ngjarja që u regjistrua.
Siç mëson KALLXO.com, personi i vrarë është P.G ndërsa të tjerët janë dërguar në emergjencë për tretman mjekësor në Intensivë.
Viktima në bazë të pamjeve që ka parë KALLXO.com në kohën kur ishte identifikuar si i vdekur, u pa me një armë të gjatë automatike në dorë ndërsa në disa pamje të tjera shihen se si dy persona me një motor gjuajnë në drejtim të tij.
Njëri nga të dyshuarit në motor është arrestuar e tjetri është në kërkim.
Pasi kishin gjuajtur me armë zjarri, të dyshuarit ishin nisur për t’u larguar nga vendi i ngjarjes por të njëjtit kanë hasur në një patrullë të policisë së rendit.
Gjatë ndjekjes, KALLXO.com mëson se policët patën edhe një aksident.
Trupi i viktimës për disa orë ishte në vendin e ngjarjes e më pas i njëjti ishte tërhequr.
Pas informacioneve për të shtëna armësh dhe plagosje u aktivizua edhe unaza e çeliktë për të kapur të dyshuarit e mundshëm të përfshirë në rast. Pak pas mesnatës, unaza e çeliktë u deaktivizua ndërsa njëri person i dyshuar ishte arrestuar.
Kryeprokurori Zejnullah Gashi në një bisedë me KALLXO.con tregoi të dhëna në lidhje me rastin.
Përveç 5 të plagosurve që janë në Intensivë që automatikisht llogariten të arrestuar, policia ka ndaluar edhe një person tjetër ndërsa është në kërkim të minimalisht dy personave të tjerë.
“Unë bashkë me prokurorin kujdestar me krimteknikën policët shtesë të angazhuar. Janë dy familje të cilët si pasojë e një mosmarrëveshje të mëhershme kanë qenë të përfshira edhe sot në ngjarje”- ka thënë Gashi për KALLXO.com më 01.09.2024.
Në anën tjetër, siç konfirmoi kryeprokurori Gashi rasti ka ndërlidhje me një rast tjetër të mëhershëm.
“Një person është i ndaluar për një vepër penale të mëhershme, është ngritur aktakuzë të enjtën për të Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar edhe masën e vazhdimit të paraburgimit të tij”- tha tutje ai.
Fjala është për Shkumbin Sekiraqën, ndaj të njëjtit është ngritur aktakuza në fund të gushtit të vitit 2024.
E gjithë ngjarja që u regjistrua më 01.09.2024 dyshohet se lidhet me ngjarjen për të cilën u akuzua Shkumbin Sekiraqa nga Prokuroria e Prishtinës.
Kryeprokurori dha detaje edhe për vendin e ngjarjes dhe gjuajtjet me armë.
“Këtu në vendin e ngjarjes minimum 3 persona kanë sulmuar me armë të gjata, ka nisur një shkrepje me armë, kanë mbetur të plagosur 5 persona dhe një person ka mbetur i vdekur”- tha Gashi.
“Në kërkim janë minimum dy persona të dyshuar, një ende nuk është i identifikuar”- shtoi ai.
Një i vrarë dhe pesë të plagosur – Kryeprokurori i Prishtinës jep detaje të reja për KALLXO