Vendet fqinje shënojnë rritje të rasteve me COVID-19

Në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 145 raste të reja me COVID-19, krahas 6 viktimave.

Mirëpo ka pasur një numër të lartë të të shëruarve, gjithsej 171 persona janë shëruar në 24 orët e fundit në Kosovë.

Edhe vendet fqinjë me Kosovën kanë shënuar rritje të vazhdueshme të rasteve me COVID-19.

Në Shqipëri në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë edhe 4 qytetarë të prekur me Coronavirus. Ndërkohë, rastet e reja janë 102.

Raste aktive në Shqipëri janë 1,631, ndërsa deri më sot janë shënuar 111 viktima

Serbia e cila pos krizës së pandemisë për disa ditë u përball edhe me protesta të dhunshme pikërisht për masat e rrepta të kufizimit nga Qeveria, në 24 orët e fundit ka shënuar 9 viktima, duke shkuar në 461 viktima në total në Serbi që nga fillimi i pandemisë.

Ndërsa janë konfirmuar edhe 389 raste të reja me COVID-19, nga 7,648 mostra të testuara. Në total Serbia deri më sot ka testuar mbi 500 mijë qytetarë të dyshuar për COVID-19.

Të hospitalizuar janë 4,776 persona me COVID-19, ndërsa 187 janë në trajtim me respiratorë, raporton rts.rs.

Mali i Zi është vendi i fundit në Evropë që regjistroi rastin e parë me koronavirus (17 mars) dhe i pari që nuk pati asnjë rast të ri për 28 ditë rresht (dy cikle të inkubacionit).

Kjo është arsyeja pse fundi i epidemisë në këtë vend u shpall më 2 qershor. Në atë periudhë (17 mars – 4 maj), u regjistruan 324 raste me COVID-19 dhe nëntë viktima.

Ndërsa tashmë Mali i ZI përsëri është në rritje të rasteve të reja me COVID-19.

Ndërsa nga 321 mostra të testuar në 24 orët e fundit janë konfirmuar 48 raste të reja me COVID-19, numër ky që konsiderohet i lartë për autoritet malazeze duke marrë parasysh që në fillim të pandemisë nuk kishin më shumë se 15 apo 20 raste në 24 orë.

Mali i Zi aktualisht ka 1,664 raste aktive me COVId-19, shifër kjo shumë e lartë në krahasim kur në fillim të shfaqjes së pandemisë Mali i Zi në total kishte pak më shumë se 300 raste.

Ndërsa janë shënuar edhe dy viktima, duke shënuar në total 21 viktima me COVID-19 në Mal të Zi.

Deri më sot janë testuar 28,912 mostra për COVID-19.

Nga data 13 qershor deri me 16 korrik, janë konfirmuar 1,582 raste të reja.