Vendet e Quintit dhe BE kërkojnë nga qeveria të lejojë referendumin e Serbisë në Kosovë

Përmes një deklarate të përbashkët, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara, si dhe Bashkimi Evropian, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t`i lejojë qytetarët serb që të votojnë në referendumin e së dielës në një proces të organizuar nga OSBE.

Ata kanë shprehur keqardhje se Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në reagimin dërguar medieve.

Po ashtu në këtë reagim, është kërkuar përmbajtje dhe konstruktivitet për të dy vendet.

“I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hape perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, thuhet tutje në reagim.

Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë të 16 janarit për ndryshimet kushtetuese ‘si një hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e institucioneve te shtetit të sundimit te ligjit’.

Sipas tyre, këto reforma janë një hap përpara drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane dhe do të mbështesin procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.

Të dielën më 16 janar, në Serbi mbahet një referendum në të cilin qytetarët e saj do të deklarohen në pyetjen “a jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe janë pjesë e përpjekjeve të shtetit të Serbisë për t’u afruar me strukturat e Bashkimit Evropian.

Qeveria e Kosovës ia ka mundësuar qytetarëve të Serbisë që jetojnë në Kosovë që këtë të drejtë ta shfrytëzojnë përmes dy opsioneve: përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë

Ndërsa Serbia kërkon që ky referendum të mbahet ashtu siç janë mbajtur zgjedhjet.

Kjo kërkesë e Serbisë është përkrahur edhe nga Bashkimi Evropian. Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka kërkuar që serbët të lejohen të ushtrojnë të drejtën e tyre në këtë proces i cili sipas tij do të organizohet nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).