Vendet e QUINT-it shprehen të shqetësuar për mundësinë e përshkallëzim të dhunës në protestën e serbëve

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë përmes një njoftimi ka bërë të ditur se shefat e misionit të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së shprehen të shqetësuara për rrezikun e përshkallëzimit të dhunës gjatë protestës e paralajmëruar për sot.

Sipas tyre, qytetarët kanë të drejtë të mbajnë tubime paqësore, vlerë kjo e përbashkët demokratike e këtyre vendeve.

Për forcat e rendit, në njoftim thuhet se kanë për detyrë të ruajnë rendin publik pa cënuar fjalën e lirë dhe tubimin.

Për fund, shtetet e QUINT-it u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga retorika që mund të nxisin tensione.

Më poshtë gjeni reagimin e vendeve të QUINT-it:

“Shefat e Misionit të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian marrin parasysh demonstratat e planifikuara sot dhe shprehin shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit ose dhunës.

Qytetarët kanë të drejtën e tubimit paqësor si dhe përgjegjësinë për të siguruar që tubime të tilla të jenë paqësore dhe të mos bëhen të dhunshme. Ndër vlerat tona të përbashkëta demokratike janë e drejta për tubime paqësore dhe për të dëgjuar zërin tonë, të drejta të cilat zbatimi i ligjit është përgjegjës për t’i mbrojtur.

Forcat e rendit kanë detyrimin për të ruajtur rendin publik dhe duhet ta bëjnë këtë pa cenuar parimet demokratike të fjalës së lirë dhe tubimit. Kuinti dhe BE-ja gjithashtu përsërisin thirrjet e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë që të veprojnë me përmbajtje dhe të përmbahen nga çdo retorikë apo veprim që mund të rrisë tensionet”.

Gjatë ditës së sotme është paraparë që të mbahet një protestë ne veri të Mitrovicës. KALLXO.com mëson se përveç në veri të Mitrovicës, protesta janë paraparë që të mbahen edhe në Komunën e Gracanicës por edhe në Shtërpcë.

Deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar se kush janë organizatorë të protestës së paraparë në veri të Mitrovicës.

Gjatë ditës së sotme automjete të shumta të policisë janë parë që janë nisur drejtë zonës së Mitrovicës.

Për këtë çështje Policia e Kosovës ka thënë se lëvizjet në disa zona në Kosovë janë të zakonshme dhe se nuk lidhen me ndonjë aktivitet të caktuar.

Njësitë Speciale nisen për në Mitrovicë, Policia thotë se është lëvizje e zakonshme (VIDEO)