Vendet e QUINT-it: Nuk ka kusht që kryetarët të betohen në zyrat komunale

Franca, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë një deklaratë të përbashkët lidhur me situatën në zhvillim në veri të Kosovës.

Një ditë para betimit të kryetarit të sapozgjedhur të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, vendet e QUINT-it thanë se ‘nuk ka kusht që kryetarët duhet të betohen në zyrat komunale’.

Në këtë deklaratë u theksua se zgjedhjet e 23 prillit u mbajtën në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kërkesat ligjore.

“Por, pas bojkotimit nga një pjesë e madhe e komunitetit serb, rezultatet më nuk janë një zgjidhje afatgjate politike për këto komuna” – thuhet në këtë deklaratë.

Vendet e QUINT-it thanë se i bëjnë thirrje të gjithë akterëve që urgjentisht të punojnë së bashku me të gjitha palët e interesit, përfshirë edhe komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron një përfaqësim të qëndrueshëm demokratik në këto komuna.

“Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë nga kryetarët e sapozgjedhur apo asamblistët komunalë – që nuk i shërbejnë njerëzve apo që rrisin tensionet” – theksohet në deklaratë, ku shtohet se këtu përfshihet edhe ushtrimi i më tepër fuqive administrative dhe procesin e marrjes së zyrës, pasi nuk ka një kusht që kryetarët duhet të betohen në zyrat komunale.

“Gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i dhunës apo veprimet që nxisin tensionet apo promovojnë konfliktin”.

Ndër të tjera, QUINT rikujtoi se përkrah dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë nevojën që urgjentisht të bëhet përparim drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Seanca solemne, nesër Erden Atiq pritet të betohet