Vendet e BE-së pajtohen që Lajçakut t’i zgjatet mandati edhe për 18 muaj

Vendet e Bashkimit Evropian do të pranojnë që të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, t’i zgjatet mandati edhe për 18 muaj.

Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet diplomatike në Bruksel se në takimet e përfaqësuesve të vendeve anëtare asnjë shtet nuk e ka kundërshtuar vazhdimin e mandatit të Lajçakut. Tash mbetet të kryhet vetëm pjesa formale. Kështu, ish-ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, pritet t’i vazhdohet mandati deri më 1 prill të vitit 2024.

Ai kishte nisur mandatin fillimisht njëvjeçar në prill të vitit 2020. Pastaj i ishte vazhduar mandati edhe pas 1 prillit 2021, për 18 muaj. Vazhdimi i ri prej 18 muajve shtesë, i cili pritet të konfirmohet edhe formalisht këto ditë në Bruksel, do të bëjë që Lajçaku të jetë në këtë post gjithsej katër vjet.

Ndonëse nga disa shtete të BE-së është shprehur pakënaqësi për shkak se në vitet e fundit nuk ka pasur progres konkret në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, asnjë shtet nuk e ka kundërshtuar vazhdimin e mandatit të Miroslav Lajçakut dhe ekipit të tij.

Bashkimi Evropian pritet që këtë javë, nga niveli më i lartë, nga takimi i Këshillit Evropian më 23 dhe 24 qershor, të përsërisë thirrjen se është urgjente arritja e progresit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes tyre.

Për të martën në Bruksel është planifikuar të zhvillohen takime të reja në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut, në të cilat BE pret dhe dakordim konkret për zbatimin e marrëveshjes për energji e mundësisht edhe nënshkrimin e një deklarate për të pagjeturit.

Për takime janë ftuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.

Sa i përket marrëveshjes për energji, diplomatët thonë se fjala është për të njëjtën marrëveshje që ishte arritur në vitin 2013, ishte konfirmuar në vitin 2015 ndërsa tash palët vetëm do të pajtohen për planin e zbatimit të saj. Bashkimi Evropian pritet të ketë rolin e lehtësuesit edhe për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Mirëpo, ende nuk ka konfirmim formal për këto takime pasi ekziston mundësia që delegacionet të mos kenë mundësi të vijnë në Bruksel me kohë për shkak të grevës së përgjithshme që është duke u zhvilluar në Belgjikë. Për këtë arsye janë anuluar për të hënën pothuajse të gjitha fluturimet nga aeroporti i Brukselit.

Gjithsesi në BE shpresojnë se gjatë kësaj jave do të ketë takime në kuadër të dialogut me rezultate konkrete/REL/.