Vendet e BE-së bien dakord për planin për reforma më të rrepta të azilit

Vendet e BE-së kanë arritur një marrëveshje përmes së cilës shtetet e BE-së ose ta pranonin një pjesë të azilkërkuesve ose ta paguanin në një fond të menaxhuar nga Brukseli për t’u kujdesur për migrantët. Gjermania shprehu shqetësime për mbrojtjen e fëmijëve.

27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për një plan fillestar për të miratuar politika më të ashpra të azilit dhe migracionit në të gjithë bllokun, njoftuan zyrtarët të enjten.

Suedia, e cila mban presidencën e rradhës të BE-së, tha se marrëveshja është një “ekuilibër i mirë” përgjegjësie ndaj atyre që kërkojnë azil dhe solidaritet në BE.

Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser e quajti marrëveshjen një “sukses historik” për BE.

Marrëveshja u arrit disa orë pas negociatave të tensionuara, pasi disa anëtarë të BE-së si Italia, Austria dhe Holanda, thanë se propozimi i kompromisit nuk ishte mjaft i mirë. Polonia dhe Hungaria votuan kundër propozimeve, ndërsa Bullgaria, Malta, Lituania dhe Sllovakia abstenuan.

“Kompromisi nuk është aspak i lehtë,” tha në një deklaratë Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock. “Nëse do të kishim vendosur vetë reformën si qeveri federale, do të dukej ndryshe”.

Aktualisht në një udhëtim në Amerikën e Jugut, Baerbock tha se nëse Gjermania do të kishte bërë lëshime, përpjekja për t’i ndarë azilkërkuesit në të gjithë bllokun do të kishte dështuar.

“Nëse Gjermania do të kishte votuar kundër kompromisit sot, së bashku me Hungarinë dhe Poloninë, ndër të tjera, një politikë e përbashkët evropiane e azilit e bazuar në solidaritet do të ishte e vdekur për vite me radhë,” tha ajo. “Në vend të kësaj, të gjithë ata që duan t’i ngrisin përsëri muret kombëtare në Evropë do të kishin një kalim falas.”

Çfarë dihet për paketën e reformave deri tani?

Vendet e BE-së po trajtojnë mënyrën se si azilkërkuesit përpunohen në kufi dhe zhvendosen nëpër Evropë.

Gjatë negociatave, Gjermania mbështeti fuqimisht që familjet me fëmijë dhe të miturit të pashoqëruar do të përjashtoheshin nga procedurat e reja, më të ashpra kufitare.

Megjithatë, në fund, Berlini zyrtar përfundimisht duhej të pranonte se familjet me fëmijë ka të ngjarë të përfshiheshin në politikat e reja kufitare, njoftoi agjencia e lajmeve DPA.

Ministrja e Brendshme suedeze Maria Stenergard, e cila i kryesoi bisedimet, tha në një konferencë për media se nëse aplikanti nuk e ka mundësinë të marrë azil në BE, ai menjëherë do të largohej nga ai vend.

Të gjitha kërkesat për azil duhet të shqyrtohen brenda një periudhe maksimale prej gjashtë muajsh, tha Stenergard.

Plus, vendet që nuk dëshirojnë të pranojnë azilkërkues do të duhet të ofrojnë ndihmë financiare deri në 20,000 euro për migrant në një fond të menaxhuar nga Brukseli për t’i mbështetur ata që kërkojnë mbrojtje, ka deklaruar Stenergard.

Ylva Johansson, komisionerja evropiane për punët e brendshme, tha se ku do të dërgoheshin azilkërkuesit e refuzuar ishte një pikë e madhe pengese gjatë bisedimeve dhe se ministrat e brendshëm diskutuan nëse do të ishte në dorën e shtetit anëtar që refuzonte një kërkesë për azil të përcaktojë se ku të dërgohet personi që ka kërkuar mbrojtje.

Çështja e zgjerimit të vendeve “të sigurta“, apo vendeve ku azilkërkuesit mund të kthehen, ka qenë në qendër të debatit të paketës së propozimit të reformës.

Johansson tha se nuk ka ende një vendim konkret për këtë çështje dhe ata do të duhet ta rishikojnë atë përsëri.

Propozimi ishte ‘i vështirë’ për Gjermaninë

Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser kishte thënë më herët të enjten se një propozim i ri reformash mbi politikat e migracionit të BE-së ishte “shumë i vështirë për ne në Gjermani” për t’u pranuar, pasi nuk përfshinte përjashtime për familjet me fëmijë.

Ajo i bëri komentet ndërsa ministrat e brendshëm të BE-së u mblodhën në Luksemburg në një përpjekje për ta arritur një marrëveshje mbi politikën e përbashkët të migracionit dhe azilit.

Një nga reformat e kontestuara ishte futja e kontrolleve paraprake për azilkërkuesit, të cilët më pas do të ktheheshin mbrapsht menjëherë nëse do të gjykohej se nuk kishin mundësi për t’iu dhënë azil.

Berlini dëshiron të sigurojë përjashtime për të miturit dhe familjet me fëmijë.

“Ne mund ta trajtojmë migrimin vetëm së bashku si e gjithë BE,” tha Faeser përpara bisedimeve. “Ndjej se ka një mirëkuptim të përbashkët që mund të çojë në një marrëveshje, por jo me çdo çmim.”

Faeser tha se Gjermania dëshironte t’i përfshinte të drejta të zgjeruara për fëmijët në një marrëveshje të BE-së për migracionin.

“Në një pikë ne kemi ende një problem real nga pikëpamja gjermane, sepse duam mbrojtjen e fëmijëve dhe familjeve me fëmijë në procedurat kufitare”, tha ajo, duke shtuar se mbrojtje të tilla do të ishin në përputhje me Konventën e OKB-së për Të drejtat e fëmijës.

Reformat e emigracionit duhet të zgjidhen ‘së bashku’

Ndërkohë që takimi i ministrave të brendshëm të BE-së po zhvillohej në Luksemburg, kancelari gjerman Olaf Scholz zhvilloi gjithashtu bisedime mbi reformat e migracionit në Romë me Giorgia Melonin e Italisë.

“Ata që duan t’i tejkalojnë sfidat që lidhen me migrimin e refugjatëve mund ta bëjnë këtë vetëm së bashku në Bashkimin Evropian,” tha Scholz.

“Të gjitha përpjekjet për t’i lënë problemet dikujt tjetër ose për ta drejtuar gishtin te të tjerët do të dështojnë,” shtoi ai.

Kryeministrja e Italisë tha se ishte “e bindur” se blloku i BE-së do të arrinte një marrëveshje për politikën e migracionit.

Ajo tha se situata bëhet “e vështirë” kur përgjegjësia për t’u marrë me të transferohet te partnerët e tjerë.

Meloni shtoi se do të udhëtojë në Tunizi së bashku me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe kryeministrin holandez Mark Rutte. Shumë varka emigrantësh që përpiqen ta përshkojnë Mesdheun për të arritur në tokën e BE-së nisen nga vendi i Afrikës Veriore./DW