Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vëllimet e para të projektit për historinë e Kosovës pritet të dalin në 2021

Tri vëllimet e para të projektit “Historia e Kosovës, të Institutit të Historisë së Kosovës, “Ali Hadri” pritet të dalin nga shtypi në vitin 2021. Ndërkaq vëllimi i katërt i këtij projekti që përfshinë edhe periudhën e luftës së fundit deri të pavarësia pritet të botohet në 2022.

Projekti për shkrimin e historisë së Kosovës ka nisur në 2016 nga IH-së, “Ali Hadri” në Prishtinë dhe janë angazhuar mbi 50 studiues të fushave dhe periudhave të ndryshme të historisë.

Kështu ka thënë në një prononcim për KALLXO.com, Sabit Syla, drejtor i IH-së, “Ali Hadri” në Prishtinë.

Dretori Syla ka pohuar se Projekti shkencor i Instituti të Historisë, “Historia e Kosovës” (vëll.I-IV), është një projekt, i cili në vetvete përfshinë tri procese: Hulumtimin dhe grumbullimin e dokumenteve nëpër arkiva të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare; Seleksionimin, përpunimin dhe botimin i tyre, dhe Procesi i shkrimit të Historisë së Kosovës nga parahistoria deri në vitin 2008, në katër vëllime.

Instituti i Historisë Foto: KALLXO.com

Sipas drejtorit Syla, si rezultat i punës kërkimore-shkencore, ekspedita shkencore janë kryer në: Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut, Arkivin Kombëtar të Vjenës, Arkivin e Luftës në Vjenë, Bibliotekën Kombëtare të Vjenës, Arkivin Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Berlin dhe në Arkivin Ushtarak në Freiburg të Gjermanisë, Arkivin Shtetëror të Maqedonisë, Arkivin e Sllovenisë,  Arkivin Historik në Beograd, Arkivin e Bullgarisë, Arkivin Qendror të Italisë, Francës, Arkivat e Perandorisë Osmane në Stamboll, Arkivin e Republikës së Re Turke, Arkivin në Uashington dhe Bibliotekën e Kongresit Amerikan, Arkivin e Ministrisë se Punëve te Jashtme të Mbretërisë se Bashkuar, në disa Arkiva Shqiptare në Tiranë, etj.

Syla ka thënë se paralelisht është duke u punuar në të katër vëllimet dhe gjerë me tani, në fazën e redaktimit janë tri vëllimet e para (vëll.,I, II, III), të cilat është planifikuar që deri në përfundim të këtij viti (2020) të përfundojnë si proces.

“Vitin e ardhshëm, planifikohet qe materiali te kaloj ne duar te recenzenteve dhe më pas te punohet në përgatitjen teknike të tyre (redaktimi gjuhësor, ilustrimet, indekset, hartat dhe radhitja) dhe të shkojnë në shtyp. Kurse vëll. IV, i cili përfshin, dhe për shkak të specifikave delikate (përveç tjerash edhe periudhën e luftës së UÇK-së deri të shpallja e Pavarësisë së Kosovës, përkatësisht deri në vitin 2008), planifikojmë që të përmbyllët së redaktuari në fund të vitit 2021, dhe të dalë nga shtypi në fillim të vitit 2022”, ka thënë drejtori Syla, për KALLXO.com

Më tej, Syla ka thënë se projekti është prekur edhe nga situata me COVID-19, duke  shkaktuar probleme dhe vonesa si pasojë e mbylljes së bibliotekave dhe arkivave.

“Kjo, veçanërisht u ka shkaktuar probleme të theksuara redaktorëve të tri vëllimeve të para, të cilët, kanë redaktuar shkrimet e këtij projekti. Mbyllja, sidomos e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, u ka pamundësuar redaktorëve verifikimin e disa prej referencave gjatë redaktimit. Andaj, edhe ka shkaktuar vonese për së paku 4-6 muaj në finalizimin e këtij procesi”, ka thënë drejtori Syla, duke shtuar se pandemia ka pamundësuar edhe takimet fizike me redaksitë dhe debitimin e problemeve të ndryshme të vëllimeve

Paralelisht me shkrimin procesit të historisë së Kosovës, sipas Sylë është duke u bërë edhe seleksionimi, përpunimi dhe botimi i dokumenteve, proces ky që, sipas drejtorit Syla është duke vazhduar.

Gjerë me tani janë botuar dhjetë vëllime me dokumente, dhe disa vëllime tjera gjenden në proces të përgatitjes dhe botimit.