Bahri Hyseni, kryesues i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës” dhe Fisnik Tmava, vëllai i resë së kryesuesit, Sekretar i Zgjedhur në “Trepçë”. Foto: KALLXO.com

Vëllai i resë së kryesuesit të Bordit të ‘Trepçës’ zgjedhet Sekretar i Ndërmarrjes

Ndërmarrja Publike “Trepça” që nga 15 korriku i këtij viti ka zgjedhur Fisnik Tmavën, Sekretar të ri të Ndërmarrjes. Vlerësimin dhe vendimin për zgjedhjen e Tmavës si Këshilltar i Përgjithshëm i “Trepçës” e nënshkroi Bahri Hyseni, si kryesues i Bordit Mbikëqyrës në këtë ndërmarrje.

Fisnik Tmava është vëllai i resë së kryesuesit të bordit, Bahri Hyseni.

Në një deklarim për KALLXO.com, Hyseni tha se konkursi për zgjedhjen e Sekretarit të Ndërmarrjes ka qenë transparent. Ai e pranoi se Fisnik Tmava është vëllai i gruas së djalit të tij, por mohoi se kjo paraqet afërsi familjare.

“Asnjë problem nuk është që ai është vëllai i nuses së djalit. Ai proces ka qenë transparent, dy herë është shpallur konkursi, gjithçka ka qenë transparente unë e kam bë publike do të thotë para bordit që ai ka konkuru, nuk kemi konflikt interesi, lidhje gjaku, ne s’mund të ua ndalojmë njerëzve që të konkurrojnë” – ka deklaruar Hyseni.

Pjesë e Komisionit të vlerësimit, ku kandidat për Sekretar të Ndërmarrjes ishte vëllai i resë së djalit të tij, ishte edhe Bahri Hyseni, kryesues i Bordit të “Trepçës”. Ai ka thënë se e vlerësoi Fisnik Tmavën por nuk e favorizoi.

“Kur e kemi bë vlerësimin si bord, ka anëtar bordi që e ka vlerësuar më shumë se unë, ka qenë vlerësim i pavarur, individual, kështu e kemi ne praktikën aty në bord” – tha Hyseni.

“Po, edhe unë e kam vlerësuar. Ne nuk kemi lidhje gjaku, është larg hesapi, nuk e rrokë ligji për Konflikt Interesi” – deklaroi kryesuesi i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”.

Në anën tjetër, Kryeshefi Ekzekutiv i “Trepçës”, Enis Abdurrahmani tha se konkursi për Sekretar ka qenë transparent. Sipas tij, kandidati që është zgjedhur, ka qenë më i miri.

“Është respektuar çështja e ankimimit dhe ka qenë një proces transparent. Unë i pash disa gjëra që kanë dal në media, por ka qenë me të vërtetë një proces transparent” – tha ai.

“Është zgjedh kandidati më i mirë, që i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret sipas konkursit, sepse dy herë është shpall konkursi edhe thjeshtë është bërë zgjedhja më e mirë” – vlerësoi Enis Abdurrahmani.

Tutje, Kreshefi i “Trepçës” tha se afërsia familjare e Sekretarit të zgjedhur dhe kryesuesit të Bordit Mbikëqyrës nuk paraqet konflikt interesi.

“Afërsia familjare me kryesuesin e bordit nuk hynë të nepotizmi, merreni këqyreni edhe ligjin, me rëndësi është mos të favorizohet se kur ka transparencë, unë nuk e shoh të arsyeshme me qenë kjo bujë” – tha ai.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me Fisnik Tmavën, Sekretar i zgjedhur në “Trepçë”, por ai ka qenë i paqasshëm në telefon. Të njëjtit pyetjet i janë përcjellë edhe me mesazh por edhe në adresën elektronike të Ndërmarrjes, por deri në publikimin e këtij teksti, ata nuk janë përgjigjur.

Bordi Mbikëqyrës i “Trepçës” u emërua nga Qeveria Kurti në shkurt të këtij viti. Ai përbëhet nga Bahri Hyseni – kryesues; Bujar Bilalli, Ibrahim Krasniqi, Muharrem Peci dhe Xhevdet Tahiri – anëtarë të bordit.

KALLXO.com raportoi se njëri nga anëtarët e Bordit, Bujar Bilalli, ka të kaluar politike.

Ish-kandidati i LVV-së për Asamble emërohet në bord të “Trepçës”

www.kallxo.com