Vëllai i këshilltares së Haradinajt punësohet si mjek

Më 26 tetor ishte e shtunë, ditë pushimi.

Por, pikërisht në fundjavën e fundit të tetorit ishte hapur një konkurs nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për vendin e punës Mjek i Praktikës së Përgjithshme në Shtëpinë e Personave të Moshuar në Prishtinë.

Më 4 dhjetor, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale njoftoi për kandidatin më të suksesshëm të atij konkursi.

Me 281.5 pikë vendin e punës si mjek i praktikës së përgjegjshme e kishte fituar Krenar Reshitaj, vëllai i Alebena Reshitajt, këshilltares së kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj.

KALLXO.com raportoi javën e kaluar për punësimin e vajzës së axhës së Albena Reshitaj, Herolinda Reshitaj Selimaj.

Ish-ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka thënë se nuk e di që vëllai i është punësuar. Ajo tha se edhe vëllai i saj meriton të punësohet.

“Unë nuk e di që është punësuar. Ai është doktor dhe është duke konkurruar në çdo konkurs të mundshëm që është duke i dalë, nuk e di që është pranuar dikund ende”, tha ajo në një bisedë të shkurtër për KALLXO.com.

“Qe një vit e gjysmë e ka kryer fakultetin, në qoftë se edhe vëllai im nuk duhet të punësohet atëherë nuk është qytetar i Kosovës. Nuk po ju kuptoj definitivisht. Kish me qenë mirë që një mjek i ri mbërrin me u pranu diku ose me dalë jashtë, nuk u ka mbet tjetër”, thotë ajo.

Reshitaj thotë se nuk ka ndikuar që të punësohet i vëllai pasi, sipas saj, aktualisht nuk ka ndonjë post të rëndësishëm.

“Nuk ka lidhje absolutisht me mua kjo punë, aq ma pak që tash nuk kam ndonjë pozicion të ministres apo diçka”, deklaroi ajo.

Në anën tjetër, Krenar Reshitaj tha se ende nuk ka filluar punën në punën për të cilën është përzgjedhur. Sipas tij, para se të fitonte këtë vend pune ka aplikuar shumë herë nëpër konkurse publike.

“Ende nuk jam punësuar, hala nuk kam nënshkruar kontratë është nën periudhë të ankimimit. Jam i përzgjedhur por nuk jam i pranuar, me sa e di unë mund të kthehet konkursi prej fillimit”, thotë Reshitaj.

“Kam diplomuar gati qe nja dy vjet, kam apliku në Shtime, te shtëpia për rehabilitim psikik, nuk jam pranu, kam apliku në Ministri të Shëndetësisë, kam apliku te Burgu i Gërdovcit, kam apliku edhe në QKMF në Shtime e nuk jam pranu edhe në Vushtrri e nuk jam pranu”, thotë ai.

Reshitaj thotë se nuk ka ndikuar motra e tij për punësimin në pozitën të cilën u hap konkurs në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Nuk është najfarë pozite, mjek i përgjithshëm, as nuk është menaxheriale nuk është dhe nuk ka nevojë me ndiku motra jem, ajo nuk ka qenë e informuar. Me ju kallxu drejt, kur kam apliku në Ministrinë e Shëndetësisë, i pata thanë kam apliku, më tha ‘po më vjen keq, ishalla pranohesh’. Unë pastaj kam aplikuar edhe në gjashtë vende tjera e nuk i kam tregu hiç”, thotë ai.

Se Krenar Reshitaj është përzgjedhur si më i miri për pozitën e mjekut të përgjithshëm në Shtëpinë e të Moshuarave në Prishtinë e ka konfirmuar edhe Raze Aliçkaj, drejtoreshë e kësaj Shtëpie.

“Ende nuk ka filluar punën, janë kryer procedurat dhe tani po presim. Në bazë të dokumenteve është pranuar Krenar Reshitaj, por tash janë procedurat ankimore e pastaj besojmë që fillon punën”, ka thënë ajo.

Që prej kohës kur dha dorëheqje Ramush Haradinaj nga i pari i ekzekutivit, nëpër ministri janë hupur shumë konkurse publike e të brendshme.

Një hulumtim i KALLXO.com nxori në pah se në 21 degasteret e Qeverisë që nga 19 korriku janë hapur mbi 200 konkurse duke shtuar është mundësinë për nepotizëm dhe punësimeve familjare e partiake.

KALLXO.com raporton në vazhdimësi për punësimin e familjarëve të personave publikë.

Ndarja e “kulaçit” për punësimet partiake

www.kallxo.com

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!