Foto: Ministria e Mbrojtjes, Facebook
Vëllai i deputetit Enver Dugolli flet për KALLXO.com pas emërimit si sekretar i Ministrisë së Mbrojtjes
Gafurr Dugolli, është emëruar sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes me vendim të Qeverisë sot më 11.09.2024.
Gafurr Dugolli është vëllai i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com vetë ai, teksa ka thënë se vëllai i tij nuk ka aspak ndikim në këtë proces.
“Aspak. Ka qenë procedurë e rregullt rekrutimi e cila ka kaluar edhe përmes Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës e gjithashtu është monitoruar nga GLPS. Sa për info tuajën unë punoj në ketë institucion dhe paraardhësit e këtij institucioni – TMK e FSK që nga themelimi. Konkurroj që 5 herë. Dy herët e fundit jam i vetmi që mbërrij pikët e nevojshme mirëpo në mungesë të kandidatëve tjerë kanë dështuar këto procedura. Ketë herën e fundit kemi qeneë dy kandidatë që kanë kaluar. Rrjedhimisht janë plotësuar kushtet ligjore. Dmth asnjëherë kandidatët tjerë s’kanë mundur të mbërrijnë pikët e nevojshme. Po të kishte ndikim Enveri do të isha bërë para dy tri viteve”- ka thënë ai për KALLXO.com.
Vendimi për emërimin e tij është votuar sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Propozimin para kabinetit qeveritar e ka bërë, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Propozimi bazohet në raportin e komisionit vlerësues për zhvillimin e të gjitha fazave të procedurave të pozitave të larta drejtuese, përkatësisht për zgjedhjen e kandidatit të suksesshëm për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, z. Gafurr Dugolli sipas konkursit të shpallur më 19 mars 2024”- tha Maqedonci.
Gafurr Dugolli ka mbajtur pozitën u.d. i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndërsa, Enver Dugolli është deputet i legjislaturës aktuale në Kuvendin e Kosovës nga radhët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai i është bashkuar LVV-së, në vitin 2018. Ndërsa nga viti 2020 deri 2021 ka mbajtur pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Mbrojtjes në Qeverinë Kurti 1.