Agim Veliu. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Veliu për Sfeçlën: Nuk ka kryer asnjë punë, përveç që dha leje të lëvizjes për 'dostat e tij'

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka thënë se ish-ministri nga Qeveria Kurti Xhelal Sfeçla, së bashku me shokë duhet të turpërohet që la qytetarët e Kosovës pa targa dhe pa dokumente të tjera personale.

Veliu përmes një postimi në Facebook ka thënë se Sfeçla po bën përpjekje dëshpëruese, të shoqëruara me gënjeshtra, me qëllim të manipulimit të opinionit publik për këtë proces.

“Njeriu, i cili gjatë qëndrimit të tij në MPB, nuk kreu asnjë punë, përveç që dha leje të lëvizjes për dostat e tij, në vend se të jap llogari për hyrjet në dhomat e përgjimeve dhe për kasafortën ku gjendeshin dokumente të klasifikuara që e la të hapur kur doli, gjen kohë dhe pa fije turpi del në një emision dhe hedh akuza për procedura e tenderë, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me mua”, ka shkruar Veliu.

Ai ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme, përmes procedurës së hapur ka iniciuar aktivitetin e prokurimit “Furnizimi me targa të automjeteve” në vitin 2018, vit në të cilin Veliu nuk ushtronte pozitën e ministrit.

“I njëjti aktivitet është në procedurë ankimore dhe në bazë të legjislacionit në fuqi, Autoriteti Kontraktues nuk mund të iniciojë dy aktivitete të prokurimit për të njëjtën çështje në të njëjtën kohë”, ka shkruar ai.

Në fillim të muajit shtator Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi qytetarët e Kosovës, se nga rrethanat e krijuara si pasojë e pandemisë COVID-19, Agjencia e Regjistrimit Civil, nuk ka arritur me kohë të duhur të kryejë të gjitha procedurat e nevojshme për furnizim me material të mjaftueshëm për letërnjoftime.