Veliu për menaxhimin e situatës me COVID-19: Kujdesemi që të mos shkelim ligjet sikurse qeveria e kaluar

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu, përmes një postimi në facebook ka njoftuar se sot së bashku më ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj kanë zhvilluar takim më Grupin Ndërinstitucional për menaxhimin e Incidenteve.

Në këtë takim diskutuan edhe për zabtimin e masave për parandalimin dhe mbrojtjen nga COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë ka krijuar një manual me udhëzime ndaj mbrojtjes së infeksionit me coronavirus.

Ministri i Punëve të Brendshme njoftoi se ka hartuar udhëzues për secilin institucion të saj, dhe siç thotë ai është përkujdesur të mos ketë shkelje ligjore, ashtu siç ndodhi në Qeverinë e kaluar.

“Udhëzuesi do të ndihmojë për vijimësinë e qeverisjes në kushte pandemie në institucionet përkatëse, duke u kujdesur njëkohësisht që të mos ketë shkelje ligjore, siç kishte ndodhur gjatë mandatit të Qeverisë së kaluar”, ka shkruar ai.

Tutje, Veliu ka shkruar se edhe Ministri Zemaj ka shprehur përkushtimin e tij për menaxhimin e situatës me COVID-19.

MPB kërkoi nga të gjitha institucionet publike dhe private që të zbatojnë manualin e Ministrisë së Shëndetësisë.