Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu duke ecur në shtratin e rregulluar të lumit Llap // Foto: Facebook

Veliu pasi u shkarkua: Nuk jam pishman që u largova nga pozita e kryetarit të Podujevës

Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, i cili është edhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se nuk ia ka rënë pishman që ka lënë pozitën në krye të komunës së Podujevës për t’u emëruar në qeverinë Kurti si ministër.

Ai ka thënë se vendimin për t’u bërë pjesë e Qeverisë Kurti e kishte marrë bashkërisht me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

“Tani e tutje do të pres e cilat do të jenë zhvillimet, unë jam larguar nga pozita e kryetarit të komunës me vetë dëshire dhe në koordinim të plotë me kryetarin e LDK-së, me kryesinë, qëllimi im ka qenë që unë ta jap kontributin tim në pjesën e Qeverisë me LDK-në dhe nuk jam, si thuhet, pishman për asnjë moment”, tha Veliu në një intervistë për televizionin publik.

Ai ka folur edhe rreth mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë aktuale.

“Gjatë ditës së sotme do të filloi procesi i mbledhjes së nënshkrimeve  dhe në momentin që ato të jenë gati do të procedohen në kryesinë e Kuvendit për tu proceduar tutje”, deklaroi ai.

Sipas nënkryetarit të LDK-së, shkarkimi i tij nuk ishte arsyeja e vetme pse partia e Isa Mustafës vendosi për mocion mosbesimi.

“Raportet tona me ShBA-në janë rrezikuar seriozisht, kërkesat e tyre kanë qenë të vazhdueshme që tarifa të hiqet pa asnjë kusht, po ashtu edhe kërkesa jonë ka qenë që tarifa të hiqet e pastaj të japim një kohë. Kërkesa e Kurtit që fillimisht të endoset reciprociteti e pastaj të hiqet taska, ka qenë e pa pranushmshme për ShBA-në, edhe për BE-në e edhe për LDK-në”, deklaron ish-kryetari i Podujevës, Agim veliu.

“Nuk është problemi kryesor shkarkimi i një ministri, por është pavendoshmëria jo guximi i kryeministrit aktual që të merr vendime të cilat janë të rëndësishme për Kosovën dhe të domosdoshme këtyre ditëve, ai merret me çështje periferike, siç është shkarkimi im”, tha ai.

Dje gjatë ditës, kryeministri i Kosovës shkarkoi nga detyra Agim Veliun. Sipas arsyetimit të shefit të ekzekutivit, Veliu dha qëndrime një natë më parë në kundërshtim me ato të Qeverisë së Kosovës.

Menjëherë pas shkarkimit të nënkryetarit të LDK-së, kryesia e kësaj partie paralajmëroi mocion mosbesimi ndaj qeverisë së vendit.

Ndaj këtij propozimi të kryesisë së LDK-së, kundër votoi nënkryetarja Vjosa Osmani dhe abstenoi anëtari Lumir Abdixhiku.