Veliu: Hyrja e xhandarmërisë serbe është vetëm një patrullim i përbashkët me KFOR-in

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka thënë se hyrja e xhadarmërisë serbe në Karaçevë ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët rutinor i KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë.

“Nga Gjenerali Risi u njoftova se KFOR-i ishte alarmuar për këtë incident nga raportimet e mediave, pasi që një veprim i tillë ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët rutinor dhe i sinkronizuar i KFOR-it dhe i Forcave të Armatosura të Republikës së Serbisë, me të cilat që nga viti 2008, KFOR-i zhvillon patrullime të përbashkëta përgjatë vijës kufitare. Pra, ky ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët”, ka shkruar Veliu.

Sipas Veliut, aktivitete të tilla të sinkronizuara mbahen si me forcat serbe ashtu edhe ato të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të evitohet çfarëdo përplasje ndërmjet pjesëtareve të dy forcave.

Ai ka thënë se mirëpret faktin se në të kaluarën janë organizuar patrullime të përbashkëta të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, duke kërkuar njëkohësisht që patrullimet e tilla të ri-fillojnë edhe në këtë pjesë të Kosovës, iniciativë e cila u mirëprit edhe nga Gjeneral Risi, i cili tha se janë të gatshëm ta asistojnë Policinë e Kosovës dhe të rifillojnë aktivitetet e tilla.

“Në fund të takimit u dakorduam që KFOR-i dhe Policia e Kosovës të takohen dhe të diskutojnë mbi modalitetet për rifillimin e patrullimeve të përbashkëta e të sinkronizuara përgjatë vijës kufitare me Serbinë”, ka shkruar Veliu.

Hyrja e 11 pjesëtarëve të armatosur të xhandarmërisë serbe në Karaçevë nxiti reagime të shumta në Kosovë.

Futja e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës, KFOR jep sqarimet

.