Veliu flet për situatën me COVID: Nuk duam të përdorim mundësinë që na jep ligji

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu përmes një postimit në facebook, ka bërë të ditur se po punojnë me përkushtim të jashtëzakonshëm për të menaxhuar situatën e krijuar si pasojë e pandemisë në vendin tonë.

Veliu në postimin e tij ka shkruar se nuk duan të përdorin mundësin që jep ligji për të vendosur dikatat ndaj qytetarëve të vendit.

“Duke qenë qeveri e një vendi demokratik, ne nuk duam të përdorim mundësinë që na jep ligji për të vendosur diktat ndaj qytetarëve të vendit tonë. Përkundrazi, ne po punojmë për vetëdijesimin dhe vetë-disiplinë të qytetarëve, pasi që besojmë fuqishëm se tanimë duhet të mësohemi të jetojmë me COVID-19, ashtu siç po veprohet edhe në vendet e tjera anë e kënd globit.Megjithatë, sjelljet e papërgjegjshme të një numri të vogël të qytetarëve nuk do të lejohen ta dëmtojnë shëndetin e shumicës së qytetarëve, sjellje këto krejtësisht të papërgjegjshme karshi situatës në të cilën ndodhemi”, ka shkruar Veliu.

Veliu ka thënë se nuk mund të lejojnë që për shkak të disa sjelljeve të tilla të rrezikohet suksesi ynë i përbashkët si shoqëri dhe si shtet për menaxhimin e pandemisë.
“Institucionet ligj-zbatuese të Republikës së Kosovës do t’i përgjigjen çdo përpjekjeje, qoftë edhe të paqëllimshme, për ta sfiduar luftën e specialistëve shëndetësorë në betejën kundër koronavirusit. Si ministër i Brendshëm, Ministria, dhe besoj e tërë qeveria dhe të gjitha institucionet e përfshira në betejën për ta kaluar me sa më pak dëme këtë pandemi, jemi në shërbim të plotë të ekspertëve shëndetësorë për dhe në të mirën e qytetarëve.Me ndihmën e të gjithë ne të tjerëve, stafi mjekësor, me dijen dhe përvojën e tyre profesionale, po na udhëheqin në luftën kundër një kërcënimi serioz dhe krejtësisht të paparashikueshëm”, ka shkruar Veliu.

Veliu ka bërë thirrje tek qytetarët që të dëgjojnë me vëmendje dhe duke zbatuar me ndërgjegje rekomandimet e ekspertëve të fushës.
“Pasi që rekomandimet tanimë janë bërë të obligueshme, e që kanë të bëjnë me ruajtjen e shëndetit publik të qytetarëve të Kosovës, ne si institucione përgjegjëse, detyrohemi të përdorim mekanizmat përkatëse për zbatimin e plotë të tyre.Duke i zbatuar ato sot, ne parandalojmë mbylljen totale si shoqëri, pasi që dëmet e një mbylljeje të tillë, që shkaktoi izolim dhe bllokim, veçse i kemi provuar dhe nuk do të ishte e udhës t’i përsërisim”, ka shkruar Veliu.

Ministri ka bërë thirrje që të respektohen rekomandimet dhe që të mos detyrohen të imponojnë zbatimin e tyre përmes forcës së ligjit.