Veliu flet për arrestimet e konfiskimet në Karaçevë
Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, në mbledhjen e qeverisë e cila po mbahet sot ka thënë se nga aksioni në Karaçevë janë arrestuar gjithsej 37 persona.
“Sot 30 persona janë të ndaluar sepse i është caktuar masa e paraburgimit. Janë sekuestruar 220 aparate të lojërave të fatit, gjashtë kompjuterë, kafshë, armë me gaz. Janë rrënuar 13 objekte me përkrahjen e komunës së Kamenicës”, tha Veliu.
Ai shtoi se arrestime pati edhe në Prishtinë.
“Në Prishtinë u arrestuan tre persona. Janë kontrolluar 28 lokacione gjithsej. Gjatë zbatimit të urhdhërkontrollit janë arrestuar edhe 12 polic”, shtoi ministri.
Minisri i brendshëm tregoi edhe se janë kontrolluar edhe 7 ferma kafshësh.
“Janë gjetur 47 lopë pa kontrollë të AUVK. Hetimet vazhdojnë për këtë rast, mund të ketë aksione edhe ditëve në vijim”, vazhdoi ministri.
Të premten e javës së kaluar një aksion i gjerë mes Prokurorisë së Gjilanit, IPK-së, Policisë së Kosovës u zhvillua në fshatin Karaçevë në afërsi të pikës kufitare që lidh Kosovën e Serbinë.
Karaçeva ishte konsideruar që një kohë të gjatë një zonë e paprekshme pasi që kishte mbikëqyrjen e KFOR-it por organizimi i lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme në atë zonë, vuri shtetin e Kosovës në funksion ku u rrënuan të gjitha objektet që shfrytëzoheshin si kazino.