Veliu - Abdixhikut: Tinejxher politik që hyri nga dritarja në LDK

Një mal me kritika ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka adresuar për kryetarin aktual të kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

Veliu, i cili ishte kryetar i Komunës së Podujevës, nuk është pajtuar me mënyrën sesi po drejton LDK-në Lumir Abdixhiku. Madje, Veliu e quajti Abdixhikun tinejxher politik “që hyri nga dritarja në LDK”.

“Autokratit të katapultuar në krye të partisë, që paska kërcënuar me mbyllje dyersh e diferencime, ia bëj me dije se është anëtarësia e LDK-së ajo që vendos për vendin e secilit në parti dhe jo ai me vendime kundërstatutare”, tha të mërkurën përmes një postimi në Facebook, Agim Veliu.

Veliu ka shkruar se nuk e ka ndërmend të dorëzohet.

“Heshtja e deritashme nuk do të thotë se unë si kryetar i Degës së LDK-së do të dorëzohem përballë ndërhyrjeve kundërligjore dhe kundërstatutare të Lumirit, në Degën e Podujevës”, thuhet tutje në reagimin e ish-nënkryetarit të LDK-së.

Ai kritikoi edhe fjalimin e Abdixhikut në përvjetorin e LDK-së të mabjtur ditë më parë.

“”Unë dhe ju”.  Kështu iu drejtua Lumiri “admiruesve” të tij në disa raste. Në 32 vjetorin e themelimit të LDK-së ai shkarazi përmendi kontributin e themeluesve të saj. Më pastaj “lideri” i ri ishte përkujdesur ta ndajë LDK-në në katër dekada-periudha”, ka vlerësuar ai.

Agim Veliu e quajti të vogël liderin e ri të LDK-së, Lumir Abdixhikun.

“Lumiri i vogël, i katapultuar në vend të madh, ndjekësve të ekzaltuar harroi t’u thotë: “S’ka rëndësi nëse deri dje ua kam sharë partinë, liderët e veprimtarët. Sot jeni kopeja ime. Më ndiqni mua, shpëtimtarin tuaj””, thuhet në reagim.

“Lumirit, që tinëzisht hyri në LDK dhe luan rolin e gardianit me çelësa në dorë, i them se je tepër i vogël t’ua mbyllësh dyert gardianëve të vërtetë që e ndërtuan LDK-në e madhe. LDK nuk është një lodër që për fatin e saj të vendosë një tinejxher politik”, thuhet në reagimin e tij.

Kjo nuk është hera e parë që Veliu i reagon Abdixhikut, prej kur ky i fundit erdhi në krye të LDK-së.

 

Agim Veliu, ankesë drejtuar LDK-së: Vendimi përçarës i Kryesisë “CERTIFIKATË E MOSMIRËNJOHJES”

www.kallxo.com