Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Veliaj: 'Sunny Hill' do t'i sjellë rreth 50 milionë euro Tiranës

Festivali ‘Sunny Hill’ për herë të parë do të mbahet në Tiranë. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zbuloi lokacionin që për 4 ditë do të presë me mijëra të rinj që do të argëtohen nën tingujt e muzikës.

Ai tregoi se ‘Sunny Hill’ do të mbahet rreth liqenit të Tiranës, raporton Top Channel.

“E kemi përcaktuar vendin dhe sot morëm vendimin final që do të jetë hapsira përreth liqenit, fushat përreth liqenit të Tiranës, do të jenë tre skena të ndryshme, një qëndrore dhe skena të tjera. Të bashkëpunojmë që të jetë një zonë me hyrje dalje, na duhet pak punë logjistike, por siç menaxhuam dy tifozëri jo pak të vështira si Roma me Feynord, me më shumë suksese se Parisi, do të thotë që nuk është çështje aftësie e vendi dhe madhësisë ekonomike, por është çështje fokusi displinë aftësie menaxheriale për të organizuar grupe te mëdha, kësaj here shumica janë te rinj dhe shqiptarë dhe besoj se do argëtohemi pa incidente”, tha Veliaj.

Krybashkiaku e shikon  si privilegj organizmin e festivalit ‘Sunny Hill’ në Tiranë.

“Është prestigj dhe privilegj për Tiranën, e pritëm me entuziasëm kur organizatorët na kërkuan që të bëheshim vendi pritës. Dhe përsa kohë që nuk do të ishte Prishtina prej situatës që u krijua, unë mendoj që është gjithnjë më mirë një tjetër qytet shqiptar se sa në një tjetër vend në Europë.

Dhe për sa kohë që Tirana dhe Prishtina janë vetëm tre ore larg dhe për sa kohe që edhe këtej dhe andej kufirit po mbështesim njëri tjetrin duhet të gëzohemi që brenda trevave shqiptare ndodhin kaq shumë aktivitete”, tha Veliaj.

Organizimi i këtij festivali pritet që të sjellë të ardhura shtesë ekonomike për Tiranën.

“Ka interes ekonomik për Tiranën, sot Tirana prodhon zyrtarisht 20 milionë euro ekonomi në ditë dhe kur ka ndeshje si UEFA kjo dyfishohet do të thotë që ne presim që ato 20 milionë euro, t’i dyfishojë në ato ditë. Zinxhiri ekonomik që punon, patjetër presim rreth 40-50 milionë euro shtesë në Tiranë”, tha Veliaj.

Pasditen e 14 qershorit është bërë e ditur se festivali “Sunny Hill” nuk do të mbahet në Prishtinë por se do të bartet në Tiranë.

Ky festival që planifikohej të mbahej nga 4 deri më 7 gusht të këtij viti në një pronë prej 17 hektarë në periferi të kryeqytetit, është anuluar.

Për zhvendosjen e festivalit për në kryeqytetin shqiptar, institucionet kosovare po ia hedhin fajin njëra tjetrës.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama fajin po e drejton te Qeveria, për vonesat në vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit që ishte nxjerrë me shumicë votash në Kuvendin Komunal në muajin maj.

E në anën tjetër, ekzekutivi, përkatësisht Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e cila merret me vlerësimin e ligjshmërisë së vendimeve që dalin nga kuvendi komunal e kryesisht kur në pyetje janë pronat, po thotë se ‘nuk bëhet fjalë për anulim’ por i kanë dërguar disa kërkesa e sqarime.

Çka parashihte marrëveshja mes Përparim Ramës dhe Dukagjin Lipës? (DOKUMENT)