Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Veliaj: Kemi fituar bashkinë e Vorës me 70%, do t’ju shërbejmë të gjithëve njësoj

Kandidati i Partisë Socialiste, Blerim Shera, u shpall kryebashkiaku i ri i bashkisë Vorë.

Drejtuesi socialist i qarkut Tiranë, Erion Veliaj, fitoren e së majtës në Vorë e cilëson si vlerësim për punën e bërë në këtë bashki.

“Shpresoj që mesazhi të jetë dhe për sa më shumë punë dhe sa më pak debate. Do t’ju shërbejmë të gjithëve njësoj”.

Referuar pjesëmarrjes së ulët në votime, Veliaj falenderoi dhe ata që nuk na votuan, pasi siç tha “do të thotë që ka ende punë për të bërë”.

“Jemi shumë të kënaqur jo vetëm nga rezultati por mbi të gjitha nga cilësia e këtyre zgjedhjeve. Kemi pasur zgjedhje pa incidente. Kemi pasur një mirëkuptim edhe në komisione. Krahasuar me zgjedhjet nga e kaluara duket gjithnjë e më shumë që po ngrihet standardi, sidomos në Bashkinë e Vorës ku kishim një numërim elektronik. Nga të dhënat që kemi marrë nga KQZ kemi fituar Bashkinë e Vorës me gati 70%. Falenderoj të gjithë që punuan për këtë ditë. Unë besoj që kemi disa mesazhe që marrin nga Vora. Dua të falënderoj të gjithë komisionerët. Fakti që pati konsensus, që kishte një rezultat të shpejtë, do të thotë që e ardhmja është tek teknologjia. Kemi pasur një pjesëmarrje të madhe në Vorë”, u shpreh Veliaj.

Veliaj tha se kundërshtarët e PS nuk janë armiq. “Dua t’ju kujtoj gjithë qytetarëve dhe ka qenë ky mesazhi i një fushate që kemi bërë në Vorë: ata që ne kemi mundur me këtë rezultat nuk janë armiqtë tanë. Ata janë gjithashtu njerëz që jetjnë në Vorë. Jorida nuk është armikja ime. Partitë e tjera nuk janë armike tonat. Jemi gjithë shqiptarë. Do duhet të jetojmë në një vend e do duhet të gjejmë mënyra se si me një gjuhë ku ne garojmë me ide e projekte e jo me sherre duhet të jetë gjuha e të ardhmes”, tha Veliaj.

Kandidati socialist Blerim Shera mori 7.530 vota, i ndjekur nga kandidati i “Shtëpisë së Lirisë”, Lulzim Vrana, i cili mori 2.598 vota. Në vend të tretë u rendit Ymer Marku, kandidati i Partisë Demokratike, i cili mori vetëm 687 vota.

Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi, në një deklaratë për mediat, bëri të ditur se në vend të dytë u rendit kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Lulzim Vrana.

“I kemi rezultatet e të gjitha qendrave të votimit të Bashkisë Vorë. Pjesëmarrja janë 11,096 zgjedhës të Bashkisë Vorë. Kandidat Lulzim Vrana i ‘Shtëpisë së Lirisë” ka marrë 2589 vota. Blerim Shera i Partisë Socialiste 7530 dhe Ymer Marku i Partisë Demokratike ka 687 vota. 290 votues kanë votuar për opsionin nuk zgjedh asnjë kandidat. Ky është rezultati paraprak”, deklaroi Celibashi.

Vora është bashkia më e vogël ku u votua këtë 6 mars.

Procesi i votimit në zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki është mbyllur zyrtarisht. Pjesëmarrja në votime sipas KQZ ka qenë 30.33%./Top Channel

Në gjashtë bashki të Shqipërisë sot po votohet