Blerim Vela
Vela i Presidencës: Regjimi aktual në Serbi mendon dhe vepron si regjimi i Milosheviqit
Shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela përmes një postimi në Twitter ka thënë se regjimi aktual në Serbi mendon dhe vepron si regjimi i Millosheviqit që, sipas Velës, kërkon të imponojë dominimin e Serbisë mbi ish-Jugosllavinë.
Ai tutje ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është duke mbivlerësuar Serbinë, sipas Velës, Vuçiq mendon që po qeveris një shtet të fuqishëm.
Vela, ka pasur edhe një reagim tjetër pas deklaratave të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.
Vela u shpreh se regjimi i Serbisë po kalon nga veprimet e fshehta të dhunshme të strukturave të saj ilegale në Kosovë në kërcënim të hapur për të përdorur forcat policore e ushtarake për të kryer agresion kundër Kosovës.
Ai tutje tha se ky është një kërcënim flagrant për të rrezikuar paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe më gjerë në rajon.
Reagimet e Velës vinë pas situatës së krijuar në veri të vendit, e që si pasojë e kësaj situate është lënduar edhe një zyrtar i Policisë së Kosovës.
Sulmohet me armë zjarri Policia në Zveçan
Policia ka treguar se njësitet policore deri sa kanë qenë në detyra të rregullta, në patrullim, janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM.
“Si pasojë e incidentit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë” – thuhet në njoftimin e Policisë.
“Njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje, për të kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në QKMF për ofrimin e ndihmës mjekësore” – thekson njoftimi i Policisë.
Dhjetëra policë të rendit janë vendosur në veri të vendit pas vendimit të institucioneve për të rritur praninë policore në këtë pjesë të Kosovës.
Rritja e pranisë policore vjen pas incidenteve të ditëve të fundit, gjatë të cilave u përdorën granata dore e u shkrepën edhe armë zjarri.