Blerim Vela

Vela: Draft-Statuti i prezantuar dje nga ekipi menaxhues, i ngjashëm me atë të Vojvodinës

Shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka thënë se ekipi menaxhues dje prezantoi një Draft-Statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është shumë i ngjashëm me statutin e Vojvodinës.

Vela në “Twitter” ka thënë se një draft i tillë është i papranueshëm për institucionet e Kosovës, dhe si i tillë nuk do të kaloj.

“Synimi i tyre duket se është rikonstituimi i autoritetit autonom të Serbisë në Kosovë, njëlloj si Vojvodina, me synim të anulimit të institucioneve të Kosovës”, ka shkruar Vela.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, sot ka njoftuar se i ka liruar nga detyra anëtarët e ekipit menaxhues pas prezantimit të djeshëm të draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Dje u mbajt takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në këtë takim u prezantuar nga ky ekip drafti i asociacionit, për të cilin kryeministri Kurti tha është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën e ligjshmërinë.

“Çfarë dëgjuam e lexuam, është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën, ligjshmërinë, demokracinë, vlerat evropiane, të drejtat e njeriut, të pakicave sipas standardeve evropiane dhe përkundër kësaj do jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje andaj me këtë rast propozova një draft-vizion si kryeministër i Kosovës përkitazi me nenin 7 të marrëveshjes bazike duke pasur në konsideratë edhe nenin 10”- ka deklaruar Kurti.

Nikoqiri i këtij takimi, Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se është bërë hap i rëndësishëm simbolik për themelimin e Asociacionit.

“Kryeministri Kurti ndau me ne këndvështrimet e tij për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë dhe siç pritej këndvështrimet e palëve janë shumë të largëta mes vete sa i përket natyrës së këtij asociacioni, nuk është se kam pritur diçka tjetër isha i bindur që palët do të kenë këndvështrime të ndryshme sa i përket asociacionit”- ka thënë Borrell.

Ndërsa, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Kosova nuk do ta përmbushë obligimin e saj të dhjetë vjetëve më parë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Kryeministri Kurti sot ka bërë publik një draft version të tij sesi mund të rregullohet ‘vetmenaxhimi’ i komunitetit serb në Kosovë.

 

Kurti prezanton versionin e tij për ‘vetmenaxhimin’