Vehbi Kajtazi| Foto: Insajderi

Vehbi Kajtazi flet për përgjimet që pretendojnë për lidhjen e tij me drejtorin e shkarkuar të Inteligjencës Financiare

Në audio- inicizmet e publikuara gjatë dy ditëve të kaluara nga “Shqip.com” pretendohet se ish- shefi i Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, i kishte thënë një personi se po tenton të marrë aksione në gazetën online “Insajderi” dhe në këtë mënyrë do të kapte edhe mediat për t’i shfrytëzuar më pas edhe për shantazhe ndaj figurave të larta shtetërore.

KALLXO.com ka kontaktuar me njërin nga drejtuesit e “Insajderi”-t, Vehbi Kajtazi, i cili tregoi se nuk ka pasur asnjëherë telefonatë nga Dardan Nuhiu deri sa shton edhe se nuk e di arsyen pse është përmendur mediumi që drejton në audio-incizimet që pretendohen të jenë përgjime.

“Unë nuk e di se pse, por inkurajoj të gjithë njerëzit që të publikojnë secilën dëshmi rreth meje dhe punës sime si gazetar”, thotë Kajtazi në një deklaratë për KALLXO.com.

Tutje ai shton se mbrapa këtyre audio- inicizmeve që pretendohet të jenë përgjime qëndron një person i cili punon për shërbimin rus.

“Fillimisht dua ta bëjë të qartë se Dardan Nuhiun e njoh shumë moti, sikurse e njohin shumë gazetarë tjerë përfshirë Jeta Xharra. Sa e di unë nuk ka një konfirmim zyrtar se personi që flet është Dardan Nuhiu. Por nëse është, sipas informatave të mia të pakonfirmuara zyrtarisht, pra me anë të një ekspertize, personi tjetër është X (person të cilin Kajtazi e përmend por nuk është konfirmuar nga KALLXO.com), i dyshuar se punon për shërbimin sekret rus, i cili ka edhe shtetësi të Serbisë”, thotë tutje Kajtazi.

Ai madje përmend edhe se dy vite më parë gazeta që drejton ka publikuar një dokumentar pikërisht për personin të cilin pretendon Kajtazi se punon për shërbimin rus dhe lidhjet e tij me figura të larta ruse.

Edhe për këtë çështje pas publikimit të këtij dokumentari Kajtazi thotë se kanë provuar persona të caktuar që t’i frikësojnë dhe dëmtojnë.

Kajtazi nuk e konsideron si prishje të imazhit pretendimin se Dardan Nuhiu ka tentuar të blejë këtë medium për ta përdorur më pas si shantazhues.

“Nuk e ndjej se na është dëmtuar imazhi në asnjë rast. Z. Nuhiu ka punuar në inteligjencë dhe mendimi im personal është se kjo është luftë e shërbimeve inteligjente. Përndryshe, ato që kanë dalë sipas mendimit tim nuk janë përgjime të autorizuara, por incizime të bëra nga X (person të cilin Kajtazi e përmend por nuk është konfirmuar nga KALLXO.com). Unë nuk mund të ndikoj te askush dhe as nuk mund të mbaj përgjegjësi se kush çka flet në telefon apo në tavolina për mua”, thotë Kajtazi.

Ai madje përmend edhe disa “regjime politike” të cilat kanë tentuar të ndërhyjnë në punën e Kajtazit. Për këto thotë se nuk do të heshtë por do të flasë publikisht.

Kajtazi përmend edhe se media “Shqip.com”, e cila ka publikuar audio-incizimet që pretendohen se janë përgjime, është krijuar nga persona të akuzuar në lidhje me rastin e marrjes nën kontroll të domenit të Insajderit.

“Për këtë ka një aktakuzë dhe dy vendime të formës së prerë të gjykatës që obligojnë të akuzuarit ta kthejnë domenin. Deri tash organet e shtetit nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim për t’i detyruar të akuzuarit që t’i zbatojnë vendimet e gjykatës”, thotë Kajtazi.

Për këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Ardian Alajn, drejtor i “Shqip.com”.

“Deklarimi i prononcuesit tuaj është krejtësisht i pavërtetë. Është tendencë, në vazhdën e tendencave të tjera, për ta devijuar temën qendrore e cila është ajo që po publikon Shqip.com rreth keqpërdorimeve dhe veprimeve të tjera joligjore nga persona në pozita të larta të sistemit të drejtësisë. Kajtazi, nëse do, le të jap një përgjigje për lidhjen e tij me tashmë ish-drejtorin e Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiun dhe Aleksandër Lumezin”, tha Alaj në një bisedë me KALLXO.com.

KALLXO.com gjatë këtyre ditëve vazhdimisht ka tentuar të kontaktojë me Dardan Nuhiun, Aleksandër Lumezin, prokuroren Shemsije Asllani, gjyqtarin Driton Muharremin, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.

Gjatë dy ditëve të kaluara, “Shqip.com” ka publikuar dy pjesë me audio-incizime të cilat pretendohet se janë përgjime të vitit të kaluar ndërsa në to përmendet edhe “Insajderi”.

“Janë dy portale të forta këtu te ne, jam në bisedime me i marrë. Me hy ka 50 %. Ti je me mu tjetër kah në Indeksonline ose në Insajderi. Krejt më të fortat ko me i marrë”, pretendohet t’i ketë thënë Shefi i Agjencisë Inteligjencës Financiare Dardan Nuhiu, telefonuesit me të cilin bisedonte ndërsa pretendohet se i njëjti planifikonte të kapte sistemin medial për t’i përdorur në shantazh të figurave të larta shtetërore.

Gjithashtu një pjesë tjetër ku pretendohet se Nuhiu i ka thënë bashkëbiseduesit është edhe se të njëjtit do të mundohet t’ia pastrojë imazhin.

“Kom folë edhe me Vehbinë (Kajtazin) e me ata me ja nis me u marrë me ty me ta pastru figurën”, është një pjesë tjetër e cila pretendohet të jetë përgjim.

Skandal: Përgjimet shfaqin planet e shefit të Inteligjencës Financiare për investime në media, prokuroria hesht për dosjen e prokurores

www.kallxo.com