Zgjedhjet | Foto: Atdhe Mulla

Veç edhe dy ditë afat, vetëm një koalicion parazgjedhor i regjistruar deri më tani

Edhe pse kanë mbetur edhe vetëm dy ditë deri në përfundim të afatit për deklarimin e partive politike për formimin e koalicioneve, vetëm një koalicion është deklaruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Në mbledhjen e mbajtur më 28.08.2024, KQZ njoftoi se ka pranuar deklarimin e një koalicioni ndërmjet dy partive politike të regjistruara: Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli.

Deri më tani në KQZ, dy parti politike të regjistruara, Partia Demokratike e Diasporës dhe Lëvizja për Bashkim, kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje.

Edhe për deklarimin për pjesëmarrjen në zgjedhjeve afati përfundon më 30 gusht.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të regjistruara në Kosovë, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet që më së largu deri më 30 gusht 2024 (16:00) ta njoftojnë KQZ-në, specifikisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike.

KQZ bëri të ditur se partia politike që është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo si parti politike e veçantë në të njëjtat zgjedhje.

Lista Preliminare e miratuar në mbledhjen më 28.08.2024, përmban: 2,047,148 votues, apo 161,700 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e lokale 2021, të mbajtura me datë 17 tetor 2021.

Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës më 9 shkurt 2025 është 209,878 votues, u njoftua në mbledhje.

Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar 9 shkurtin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Me këtë rast, ajo ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizmin e këtyre zgjedhjeve.