
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Vë bast Abelard Tahiri: Nëse janë mbledhur mbi 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë do e lë mandatin e deputetit
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, teksa ka folur për Fondin e Sigurisë ka thënë se vë bast që nëse janë mbledhur mbi 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë do ta lë mandatin e deputetit.
“Unë jam i bindur dhe po vë bast që nëse kanë kaluar mbi 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë unë e lë mandatin e deputetit, sepse as 2 milionë euro nuk keni arrit me i mbledh”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thene se kryeministri Kurti është dashur të kontribuojë për këtë fond duke dhuruar pagën e tij të muajit prill.
“Kur erdhën vaksinat kryeministri shumë mirë dha shembull e mur vaksinën. Kur u themeluar fondi do të duhej me qenë prapë një simbolikë do të duhej kryeministri i Kosovës me dhanë rrogën i parë dhe me thanë unë bashkë me kabinetin tim, pagat e prillit do ti derdhim të gjithë në fondin e sigurisë”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për menaxhimin me Fondin e Sigurisë që nga krijimi i këtij fondi.
“E patët dështimin e madh në kohën krize energjetike dhe për të mbuluar atë lajm e keni themeluar Fondin e Sigurisë”, ka thënë tutje Tahiri.
Tutje deputeti i PDK-së ka thënë se Fondi i Sigurisë do të duhej të ishte publik.
“Ju e klasifikuar e ketë si fond sekret, ky është gabimi më i madh. Përkundrazi një fond i tillë do të duhej me qenë publik që edhe një student e pensionist që i kanë të hyrat shumë të vogla e që i qet 20 euro në atë fond do të duhej me i dalë emri”, ka thënë Tahiri.
Kryeministri ka thënë se mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria.
“Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”, ka thënë Kurti.
Përmes një vendimi, shuma e parave të mbledhura në këtë fond është klasifikuar si fond sekret.