Hajra Catic, Foto:BIRN

Vdiq kryetarja e shoqatës Gratë e Srebrenicës, Hajra Qatiq

Hajra Qatiq, kryetare e shoqatës Gratë e Srebrenicës, ka vdekur sot në Sarajevë. Kështu bëri të ditur për BIRN nënkryetarja e shoqatës, Nura Begoviq.

Qatiq vuante nga probleme në zemër dhe po trajtohej në spitalin e kryeqytetit boshnjak.

Ajo ndërroi jetë pa gjetur kurrë trupin e djalit të saj, i cili u zhduk gjatë vrasjeve masive të boshnjakëve në vitin 1995 nga forcat serbe të Bosnjës të udhëhequra nga Ratko Mlladiq.

Begoviq tha se gjetja e eshtrave të djalit të saj ishte dëshira e vetme e Hajra Qatiqit.

“Ajo kurrë nuk i gjeti ato dhe gjithçka që kishte ishte kjo”, tha Begoviq.

Para vdekjes së tij, djali i saj Nihad ‘Nina’ Qatiq raportonte nga Srebrenica e rrethuar për Radio Bosnjë-Hercegovinën.

Në transmetimin e tij të fundit më 10 korrik 1995, kur forcat serbe të Bosnjës filluan të pushtonin enklavën, ai raportoi se “Srebrenica po kthehet në thertoren më të madhe”.

Nëna e tij Hajra Qatiq më vonë tha: “Kur shtrihem dhe kur ngrihem, shtrihem me atë fjali: ‘Srebrenica po kthehet në thertoren më të madhe.’ Domethënë, nuk më del kurrë nga koka, nuk mundem dot, harroje”.