Sylë Zhitia, Foto: Ministria e Mbrojtjes

Vdes zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes, liderët ngushëllojnë familjen

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se nga një atak kardiak sot ka vdekur Sylë Zhitia, vëllai i dëshmorit Afrim Zhitia dhe zyrtar i lartë në këtë Ministri.

“Me dhimbje të thellë, njoftojmë të gjithë stafin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, se sot me 17 maj 2020, në orët e hershme të mëngjesit nga një atak kardiak ka ndërruar jetë Sylë Zhitia, në shtëpinë e tij në fshatin Llugë të Podujevës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Zhitisë duke shtuar se për veprime të mëtutjeshme do të ketë njoftime të tjera.

Për vdekjen e Zhitisë, ngushëllime përveç Ministrisë së Mbrojtjes dhe zyrtarëve të saj ka shprehur edhe presidenti Hashim Thaçi.

“Sa pikëlluese vdekja e papritur e mikut tim Sylë Zhitia”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Thaçi ka thënë se Syla, si gjithë familja e tij, ishte i përkushtuar në të gjitha periudhat historike me çështjen e Kosovës.

“Familja Zhitia dha shumë për Kosovën. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së heroit Afrim Zhitia”, ka shtuar Thaçi.

Edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruar se ka marrë me pikëllim lajmin për vdekjen e Sylë Zhitisë.

“Familja Zhitia, e njohur për atdhedashuri, ka qëndruar çdoherë e paluhatur në parimet shqiptare dhe mbrojtjen e të drejtave të kombit tonë. Ngushëllime të thella familjes, miqve dhe bashkëveprimtarëve”, ka përfunduar Haradinaj.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!