Vdes shoferi i kamionit pas aksidentit në Pogragjë të Gjilanit

Një person ka mbetur i vdekur pas një aksidenti që ka ndodhur mes në mes të një kamioni dhe një veture në dalje të fshatit Pogragjë të Gjilanit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Ai e ka konfirmuar se personi i vdekur është shoferi i kamionit.

“Me këtë rast drejtuesi i kamionit e humbë kontrollin mbi drejtimin e mjetit të tij dhe më pastaj pas një distance të konsiderueshme përplaset për një muri skaj rruge. Ndihma e shpejtë personin e aksidentuar  (drejtuesin e kamionit) me urgjencë e kanë dërguar në emergjencën e Spital Rajonal në Gjilan. Edhe për kundër ndihmës së mjekëve personi i aksidentuar, i lindur me 1960, shtetas i Kosovës ka ndërruar jetë si pasoj e plagëve të marra në aksident”, thuhet në përgjigjen e Hashanit për KALLXO.com.

Tutje, ai ka bërë të ditur se për rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që trupi i pa jetë të dërgohet në IML në Prishtinë dhe se rasti po hetohet nga policia e Kosovës, njësitet e trafikut rajonal.

Në anën tjetër, Drejtori Klinik në Spitalin Rajonal të Gjilanit ka thënë për KALLXO.com se shoferi i kamionit ka ardhur në spital pa shenja jete.