Vdes Ruzhdi Shkodra

Ka vdekur sot ish i burgosuri politik dhe drejtuesi i Bashkësisë Hebraike në Kosovë, Ruzhdi Shkodra.

Shkodra ishte i burgosur politik duke vuajtur dënimin në disa burgje në kohën e ish Jugosllavisë, si në atë të Prizrenit, Zagrebit, Lepogllaves, Gospiçit, Staras Gradishtes, Sllavonskas etj.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Ferizajt, Agim Aliu duke i shprehur ngushëllimë familjes së të ndjerit.

Aliu ka thënë se pas vdekjes së atdhetarit, Ruzhdi Shkodra, Ferizaj është më i varfër.

Postimi i plotë i Agim Aliu:

TELEGRAM NGUSHËLLIMI

Me dhembje mora lajmin se kësaj bote i dha lamtumirën një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi, themeluesi dhe drejtuesi i Bashkësisë Hebraike në Kosovë, veprimtari atdhetar dhe i burgosuri politik, ferizajasi i dalluar, Ruzhdi Shkodra. Kujtimi i tij do të mbetet ndër breza, gjurmë e një përkushtimi shembullor qytetar për më të mirën, paqen e bashkëpunimin. Sot, Ferizaj është më i varfër, humbëm mikun e ferizajasin që me punën e tij ndërtoi ura të shumta paqeje, bashkëpunimi e promovimi të së mirës mes njëri-tjetrit.

Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, bashkëpunëtorëve e të njohurve të të ndjerit!

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Për të ndjerin Ruzhdi Shkodra ka shkruar edhe miku i tij i burgjeve dr. Haki Gashi. Në një adresim në llogarinë e tij në rrjetin social në facebook, Gashi, ka shkruar.

“Sa e padrejtë qenka jeta, ike pa na dhënë lamtumirën apo nuk pate kohë: Të thirren Baci Adem, Baci Dan, Baci Avdi, Baci Remë, Fili, Fehmiu, Avdullah Rrustolli…ike me vrap shoku i vuajtjeve të burgjeve të Prizrenit, Zagrebit, Lepogllave, Gospiç, Stara Gradisht, Sllavonska Pozheg… Kujtimi për ty do të mbetet i gjallë, sa ideali për Kosovën e lirë! Të qoftë i lehtë dheu shoku ynë i shtrenjtë!”, ka shkruar Gashi.