Foto: Komuna e Ferizajt

Vdes pronari i restorantit ku ndodhi shpërthimi i bombolës së gazit në Ferizaj

Sot ka vdekur pronari i restaurantit “Steakhouse” që mbeti i lënduar rëndë nga shpërthimi i bombolës së gazit në këtë fillimvit në Ferizaj.

Kjo është bërë e ditur nga një telegram ngushëllimi i kryetarit të Komunës së Ferizaj, Agim Aliu.

Genc Sopa ka qenë duke u trajtuar në Turqi.

“Me dhembje të madhe, mora lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të pronarit të restaurantit “Steakhouse”, të lënduar rëndë nga shpërthimi i bombolës së gazit këtë fillimvit, Genc Sopa. Me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të mjekëve, solidaritetin qytetar, përpjekjet institucionale, Genci na dha lamtumirën, duke na pikëlluar thellësisht. Genc, pusho në paqen e paskajshme! Ferizaj humbi një qytetar të vyer, një ndërmarrës të suksesshëm, një shpirt fisnik e një mik gjithmonë të qeshur. Fjalët janë të varfëra të shprehin dhembjen. Mbahuni të fortë familje e nderuar Sopa, miq e të njohur të të ndjerit”, ka shkruar Aliu në rrjetin social “Facebook”.

Më 5 janar 2021 në Ferizaj eksplodoi një bombolë gazi ku la të lënduar disa qytetarë, katër prej tyre u dërguan në Turqi për trajtim të mëtutjeshëm për shkak të gjendjes shëndetësore të rënduar, ndërsa dy të tjerë u dërguan në Austri.

Nga ky rast ka vdekur në muajin shkurt edhe një vajzë.

Ndërkaq, i lënduari tjetër gjatë muajit mars ishte kthyer në Kosovë nga Austria ku po trajtohej.

Numri i të lënduarve kishte shkuar deri në 42.