Vdes një zjarrfikës në Klinë, dyshohet se u rrëzua gjatë intervenimit në një zjarr

Një zjarrfikës ka vdekur sot pasdite në fshatin Krushevë e Vogël në Klinë.

Zjarrfikësi dyshohet se është rrëzuar gjatë kohës sa kanë qenë duke intervenuar në një zjarr për të cilin ishin njoftuar.

Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Rreth orës 13:50 stacioni policor në Klinë është njoftuar për një zjarr në Krushevë të Vogël në Klinë. Policia menjëherë është nisur në atë drejtim, e edhe zjarrfikësit. Kanë arritur në vendngjarje dhe kanë filluar zjarrfikësit punën e tyre për ta fikur zjarrin. Aty e kanë vërejtur që njëri prej zjarrfikësve është rrëzuar” – tha Gashi.

Tutje Gashi tha se raportet zyrtare tregojnë se viktima teksa ishte duke intervenuar në zjarr është rrëzuar në tokë.

Ai tutje tha se viktima është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë.

Sipas Gashit mjeku kujdestar më pas konstatoi vdekjen e tij.

Tutje zëdhënësi shtoi se hetimet e nevojshme policore do të ndërmerren me organet e tjera kompetente.