Lugina e Valbonës

Vdes një turist në Valbonë, shkojnë në ndihmë edhe forcat e kërkim-shpëtimit nga Kosova

Një turist ka humbur jetën në zonën e Valbonës këtë të shtunë, pasi, sipas informacioneve paraprake nga Policia e Shtetit, ka pësuar infarkt duke eksploruar zonën.

Njoftimin në Polici e ka bërë një turiste serbe, e cila ka raportuar se grupi i turistëve ndodhej në vendin e quajtur “Maja e grykave të hapura”, raporton A2news.com

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës, janë nisur drejt adresës së dhënë.

“Duke qenë se për shkak të terrenit të thepisur, nuk është e mundur ulja e helikopterit, në ndihmë të shërbimeve të Policisë Tropojë janë nisur edhe Forcat e kërkim-shpëtimit të Kosovës, për të bërë të mundur nxjerrjen e turistëve, nga vendi ku janë bllokuar”, tha Policia e Shtetit.

Shërbimi i kërkim-shpëtimit malor të Kosovës ka njoftuar se është nisur për Valbonë në një operacion.

Në rrjetin Facebook kanë potencuar se për detaje tjera, do njoftojnë në vijim.

“Anëtaret e Shërbimit të Kërkim Shpëtimit Malor të Kosovës janë rrugës për në  Valbonë, për operacion të shpëtimit malor. Më shumë informacione dhe detaje ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftim.