Shiriti i Policisë së Kosovës. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Vdes një punëtor në vendin e punës në Suharekë

Një punëtor i një gurthyesi në fshatin Studenqan të Suharekës dyshohet se ka vdekur në vendin e punës.

Viktima me inicialet N.M, i lindur në vitin 1971 dyshohet se ka vdekur deri sa ka qenë duke punuar në vendin e tij të punës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit.

“Sot rreth orës 13:35 nga Emergjenca e Suharekës jemi njoftuar se një person është sjellë në emergjencë pa shenja jete. Personi me inicialet N.M i lindur ne vitin 1971  dyshohet se ka humbur jetën deri sa ka qenë duke punuar në një gurthyes në një fshat të Suharekës. Janë njoftuar të gjitha ekipet policore dhe kanë dal në vendin e ngjarjes” – tha Bytyqi.

Bytyqi ka shtuar se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Policia është në vendin e ngjarjes për hetimin se si ka ardhur deri te aksidenti dhe rrethanat që e shkaktuan atë.