Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

Vdes një punëtor i KEK-ut nga COVID-19

Një punëtor 56-vjeçar i Korporatës Energjetike të Kosovës ka vdekur. Ai ishte i infektuar me virusin COVID-19 dhe ishte në QKUK duke u trajtuar.

Lajmin e ka bërë të ditur Luigj Imeri, ushtrues detyre i kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës.

“Sot me dhimbje të thellë pranova lajmin e hidhur për humbjen e kolegut të Korporatës Energjetike të Kosovës,  në emër të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe në emrin tim ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Berisha dhe gjithë kolegeve dhe kolegëve”, ka shkruar Imeri.

Sindikata e Re e KEK-ut ka njoftuar se Berisha ishte i prekur nga virusi COVID-19.

Nga raporti 24 orësh i IKSHP-së, deri me datë 17 korrik janë shënuar 130 raste të vdekjes, ndërsa sot gjatë ditës është raportuar edhe për vdekje të tjera të pacientëve me COVID-19.

Ndërsa në total janë konfirmuar 5,617 raste me COVID-19 në Kosovë, nga ky numër janë shëruar 2,811 pacientë.

Në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 145 raste të reja me COVID-19.