Vdes një pjesëtar i FSK-së, dyshohet se u vetëplagos në një mal

Një pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës është gjetur i plagosur në një zonë malore në fshatin Zjaqë të Komunës së Mitrovicës.

Policia e Rajonit të Mitrovicës për KALLXO.com ka thënë se viktima S. H., 48 vjeçar dyshohet se është vetëplagosur e më pas ka vdekur si pasojë e plagëve të marra.

“Në vendin e ngjarjes i plagosur nga arma është hasë viktima S. H., 48 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili është dërguar me emergjencë  në  Spitalin Rajonal të Mitrovicës, më pas është dërguar për tretman në QKUK. Në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar një armë e llojit Pistoletë dhe një gëzhojë. Ndërsa rreth orës 15:00, nga QKUK është raportuar se viktima S. H., ka vdekur. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML”, thuhet në njoftimin e Policisë së Rajonit të Mitrovicës.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Ministrisë së Mbrojtjes, Flamur Arifaj, i cili konfirmoi se viktima është pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Në anën tjetër siç mëson KALLXO.com pjesëtari i FSK-së ka qenë jashtë detyrës zyrtare kur është gjetur i vetëplagosur.

Rasti në Policinë e Rajonit të Mitrovicës po hetohet si vdekje e dyshimtë.