Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vdes një person pas lëndimeve që mori gjatë manovrimit me paragllajd në Istog

Një person ka vdekur pas lëndimeve të marra pas manovrimit dhe riparimit të një paragllajdi në oborrin e shtëpisë së tij, në fshatin Sine të Istogut, më 29.01.2025 – ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Personi ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pas lëndimeve të rënda, që iu shkaktuan gjatë manovrave me paragllajd.

Policia ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 10.:45 në fshatin Sine, kur një person derisa ishte duke manovruar-riparuar një paragllajd në oborrin e shtëpisë së tij ka pësuar lëndime të rënda trupore.

“Në vendngjarje kanë dalë Njësitet kompetente policore, Prokurori i Shtetit dhe autoambulanca, e cila e ka transportuar të lënduarin për në Spitalin Rajonal në Pejë. Për shkak të gjendjes së rëndë, viktima  është dërguar për tretman në QKUK në Prishtinë, ku më pas është konfirmuar se ka ndërruar jetë.” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Lajmin për vdekjen e personit e ka konfirmuar edhe Naser Syla, drejtor i Klinikës Emergjente të QKUK-së.

Syla ka thënë për KALLXO.com, se tashmë i ndjeri ishte dërguar në QKUK, rreth orës 13:00 dhe kishte plagë të rënda.

“I ndjeri është sjellë rreth orës 13:00, në QKUK me lëndime të rënda dhe pavarësisht të gjitha masave të ndërmarra të renimacionit profesional nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.” – ka thënë drejtori Syla.

Policia ka thënë se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë u kthehet familjarëve për ceremoninë e varrimit.