Vdes një person në QKUK, ishte lënduar nga një person tjetër

Në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës ka vdekur një person i cili ishte lënduar me datën 18 qershor në rrugën ‘Bajram e Gursel Sylejmani’ në Ferizaj.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Kanun Veseli, dyshohet se është lënduar nga një person tjetër.

Sipas Veselit, policia ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme dhe me sigurimin e dëshmitarëve dyshohet se N.A e ka lënduar të njëjtin.

“Fillimisht është raportuar për një lëndim trupor. Dëshmitarët kanë deklaruar se ky person është sulmuar nga një person tjetër- është identifikuar personi N.A i moshës 46 vjeçare. Policia ka filluar kërkimin e tij duke i dërguar ftesa për paraqitje në Stacionin Policor.  Familjarët kanë deklaruar që ai ka ikur në Shqipëri. Policia është në kërkim të tij edhe përmes organeve të tjera ndërkufitare”, ka thënë Veseli për KALLXO.com.

Viktima ka vdekur dje kurse trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Rasti po vazhdohet të hetohet nga Policia e Kosovës.