Vdes një person në aksident trafiku në rrugën Prizren – Suharekë

Një person i moshës rreth 40-vjeçare ka vdekur pas një aksidenti që ndodhi mëngjesin e hershëm të së enjtes (15.08.2024) në rrugën Prizren-Suharekë (Rrafshi i Sopisë), ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Lidhur me rastin janë njoftuar njësitë përgjegjëse policore të cilët menjëherë kanë dalë në vendngjarje – thotë Policia.

“Bazuar në informacionet e para në këtë aksident janë të përfshira dy automjete me targa vendore, ku si pasojë e këtij aksidenti dyshohet se një person ka ndërruar jetë (mashkull rreth 40 vjeçar )”- thekson policia në një njoftim.

Vdekjen e tij e ka konstatuar stafi përgjegjës i Emergjencës së QMF në Suharekë.

“Lidhur me rastin dhe mjetet e përfshira në aksident, janë duke u kryer hetimet nga njësia e Trafikut Rajonal e Prizrenit. Në vendin e ngjarjes kanë dalë, prokurori i rastit dhe njësitet tjera relevante.”

“Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë dërgohen në IML Prishtinë, ndërsa i dyshuari pas marrjes së ndihmës së parë ndalohet për 48 orë në ndalim policor me urdhër të prokurorit të Shtetit”- thuhet në njoftimin e PK-së.