Vdes një grua në QKUK, nuk u mbijetoi lëndimeve pas aksidentit të trafikut në Prizren

Një grua nuk u ka mbijetuar lëndimeve si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren të premten, më 07.02.2025.

Sipas njoftimit të zëdhënësit të Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, rreth orës 11:30 viktima është goditur me automjet nga një 55-vjeçar, i cili nuk e kishte vërejtur atë derisa kishte qenë duke kaluar rrugën në vendkalimin e shënuar për këmbësor.

Si pasojë e aksidentit, Gashi njofton se 68-vjeçarja mori lëndime trupore dhe me autoambulancë është dërguar në qendrën emergjente të Spitalit të Prizrenit. 

“Sipas mjekut kujdestar këmbësorja ka lëndime të rënda trupore, rrezik për jetë dhe e njëjta është dërguar për tretman të mëtejm në QKUK, në Prishtinë” – ka shtuar Gashi.

Prokurori i Shtetit ka urdhëruar fillimisht që vozitësi i automjetit të mbahet për 6 orë në stacionin policor të Prizenit deri sa të konfirmohej gjendja shëndetësore e këmbësores.

Por, deri në atë kohë, rreth orës 17:15 Policia ka marrë informatën nga QKUK se viktima ka vdekur.

“Pasi është pranuar kjo informatë menjëherë është informuar prokurori kujdestar dhe me urdhër te tij trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi” – ka thënë Gashi.

Ndërsa, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe rasti është inicuar si aksident trafiku me pasojë vdekjen.