Foto-ilustrim

Vdes një fëmijë pasi u godit nga një veturë në Kovragë të Istogut

Një fëmijë 5-vjeçar ka mbetur i vdekur pasditen e së hënës në Kovragë të Istogut pasi që është goditur nga një makinë.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës, i cili ka thënë se viktima nuk ka arritur t’i përballojë lëndimet.

“Më 15.08.2022 në ora 17:15 është raportuar për një aksident trafiku në fshatin Kovragë-Istog, ku të përfshirë kanë qenë një automjet dhe një këmbêsor- fëmijë. Viktima- këmbësor (2017) nuk ka arritur t’i përballojë lëndimet dhe aksidenti ka rezultuar me fatalitet” – ka shpjeguar Hoxha për KALLXO.com.

Tutje, ai ka thënë se lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe me urdhër të tij viktima dërgohet në IML, ndërsa drejtuesi i automjetit dërgohet në mbajtje për procedura të mëtejme, gjersa hetimet e tjera lidhur me rastin janë në proces.

Hoxha po ashtu ka apeluar për kujdes të shtuar dhe respektim të rregullave në trafik

“Rastet e humbjes së jetëve njerëzore janë tepër shqetësuese dhe Policia kërkon kujdes të shtuar dhe respektim të rregullave në trafik në mënyrë që të shmangen raste të tilla tragjike. Policia me njësitet e saj në vazhdimësi po ndërmerr dhe do të ndërmarrë masa rigoroze ligjore për shkelësit e rregullave në trafik” – ka shtuar ai.