Shiriti i Policisë së Kosovës. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Vdes një 15-vjeçar në Mitrovicë, dyshohet se ka rënë nga një ndërtesë

Një 15-vjeçar ka vdekur pasi dyshohet se ka rënë nga një ndërtesë në rrugën “Luan Haradinaj” në Mitrovicë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Ai ka thënë se ngjarja e iniciuar si “Hetim i vdekjes” është raportuar në Polici rreth orës 13:00.

“Sot, rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën “Luan Haradinaj”, në Mitrovicë, nga një ndërtesë ka rënë viktima rreth 15 vjeçar, ku si pasojë e lëndimeve viktima ka humbur jetën” – ka thënë Zahiti.

Tutje zëdhënësi i Policisë ka treguar se hetuesit policorë me autorizim të prokurorit kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Zahiti tha se me urdhër të prokurorit trupi i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.