Vdes nga COVID-19 një qytetare nga komuna e Drenasit

Një qytetare nga komuna e Drenasit, e cila ishte e infektuar me COVID-19, ka vdekur sot.

Kështu, kjo komunë shënon rastin e parë të vdekjes nga coronavirusi i ri.

Lajmin për vdekjen e qytetares e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, përmes një shkrimi në “Facebook”.

“Për fat të keq, nga Klinika e Pulmologjisë në Prishtinë, jemi njoftuar se nga komuna jonë, ka vdekur një qytetare e infektuar me covid-19. Ky është rasti i parë që nga fillimi i pandemisë dhe më i rëndi për ne. Familjes Bytyqi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta duke bashkëndjerë dhimbjen për humbjen e anëtarës se dashur të familjes”, ka shkruar Lladrovci duke kërkuar nga qytetarët që të respektojnë masat kundër COVID-19.

KALLXO.com ka raportuar sot se ka vdekur një person i infektuar me COVID-19 nga fshati Cërnicë i Gjilanit.

Po ashtu, edhe Spitali i Pejës ka njoftuar për vdekjen e një pacienteje, e prekur nga COVID-19.