Vdes nga COVID-19 një person në Kamenicë

Kryetari i Kamenicës Qëndron Kastrati ka njoftuar se një person i infektuar me COVID-19 nga ky qytet ka vdekur.

Sipas Kastratit, ky është qytetari i tretë nga kjo komunë që ka vdekur pas infektimit me COVID-19.

“Fatkeqësisht edhe një qytetar nga komuna jonë humbi betejën me #COVID19. Ky është rasti i dytë i konfirmuar sot nga IKShP që ka përfunduar me fatalitet, kurse numri i të vdekurve nga virusi SARS-CoV-2 ka arritë në tre. Pa dashur të shkaktoj panik, ju lus të gjithëve për kujdes! Respektoni udhëzimet sepse tani kujdesi ndaj vetes e njerëzve përreth varet prej nesh. Ngushëllime të sinqerta familjes!”, ka shkruar Kastrati.

Gjatë ditës së sotme nga 419 mostra të testuara, kanë rezultuar pozitive 241 mostra, duke e cuar numrin e të infektuarve në 6,286.