Kamenica

Vdes nga COVID-19 anëtari i pestë i famijles në Kamenicë

Anëtari i pestë i një familje në Kamenicë ka vdekur gjatë ditës së sotme si pasojë e infektimit nga COVID-19.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

“Sapo mora lajmin që edhe anëtari i pestë i një familje nga Kamenica, ka ndërruar jetë si pasojë e #COVID19. Është tejet e dhimbshme për të gjithë ne”, ka shkruar Kasrati në postimin e tij në facebook.

Ai tutje ka bërë të ditur se numri i personave që nuk arritën ta fitojnë betejën me COVID-19 në Kamenicë ka arritur në 31.

“Prandaj, ju lutem kujdesuni e respektoni të gjitha udhëzimet nga institucionet e shëndetësisë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, për humbjen e më të dashurve të tyre”, ka shkruar Kastrati.

IKSHPK ka bërë të ditur se brenda 24 orëve janë raportuar 13 raste të vdekjes si pasojë e infektimit me COVID-19.

Rastet e vdekjes janë nga komunat: Ferizaj 3 raste (83, 59, 54 vjeç), Pejë 2 raste (77, 72 vjeç), Prizren 2 rast (89, 81 vjeç), Viti 1 rast (78 vjeç), Podujevë 1 rast (76 vjeç),  Suharekë 1 rast (81 vjeç), Drenas 1 rast (88 vjeç), Gjakovë 1 rast (81 vjeç), Rahovec 1 rast (69 vjeç).

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes.

Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar. Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.

Kosova ka shënuar rastet e para me COVID-19 më 13 mars 2020.