Enver Maliqi, Foto: Zoran Zev/Facebook

Vdes nënkryetari shqiptar i Shkupit, Zaev i pikëlluar

Ka vdekur nënkryetari i Shkupit dhe biznesmeni i njohur shqiptar, Enver Maliqi.

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë se Enver Maliqi do të mbetet në kujtime si një atdhetar dhe humanist i madh.

“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut, bashkëpunëtorit, humanistit dhe afaristit të mirënjohur shqiptar z. Enver Maliqi, nënkryetar i parë shqiptar i qytetit të Shkupit. Enveri çdoherë do të mbetet në kujtimet tona si një atdhetar dhe humanist i madh i cili me veprat e veta ke lënë shumë gjurmë në vend dhe në rajon. Ngushëllime të sinqerta familjes Maliqi dhe të gjithë miqve, bashkëndjej me ju. U prehsh në paqe Xhaxh!”, ka shkruar ai në Facebook.

Me këtë rast, ngushëllime ka shprehur edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

“Me keqardhje të sinqertë mora lajmin për vdekjen e Enver Maliqit, Nënkryetari i Qytetit të Shkupit, biznesmen dhe pronar i një prej kompanive më të suksesshme në vend – ‘Gemak Trade’”, ka shkruar ai në Facebook.

Zaev ka vlerësuar lart kontributin e Maliqit.

“Me humbjen e Enver Maliqit ne humbëm një nga biznesmenët tanë më të shquar dhe me ndikim dhe një anëtar të vlerësuar të komunitetit të biznesit. Kemi humbur një bashkëqytetar të palodhur dhe gjithmonë të gatshëm për sfida të reja, i cili udhëhoqi sipërmarrje të suksesshme biznesi përtej kufijve të vendit tonë”, thuhet në publikimin e kryeministrit maqedonas.

Ai u ka shprehur ngushëllime familjes së Enver Maliqit dhe miqve të tij.