Foto: KALLXO.com

Vdes në SHSKUK një i burgosur

Një i burgosur ka vdekur mbrëmë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se i burgosuri R.S., 51 vjeçar ka vdekur mbrëmë rreth orës 2:55, në Kliniken e Neurologjisë së SHSKUK-së.

“I njëjti gjatë mbajtjes së dënimit, gjatë vizitave sistematike nga personeli mjekësor i burgut, është diagnostikuar me tumor malinjë në regjionin e pelvikut, i cili më vonë ka dhënë metastaza të shumta. Për trajtim më të mirë dhe më adekuat, që nga 8 prill 2021, i burgosuri ka qenë i shtrirë në Klinikën e Neurologjisë të SHSKUK për trajtim të pasojave të dhëna nga metastazat e tumorit, tërë kohen në bashkëpunim me Klinikën e Onkologjisë”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

Sipas njoftimit, përkundër angazhimit adekuat të personelit mjekësor të këtyre klinikave, gjendja ka vazhduar të përkeqësohet dhe si pasojë i burgosuri ka ndërruar jetë.

“Organet kompetente janë duke i zhvilluar procedurat ligjore”, thuhet në njoftim.